Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër mocionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta futur në rend të ditës debatin parlamentar për minatorët.
Ata kanë abstenuar në mocionin për policinë, pas protestës së Njësisë Speciale Intervenuese.
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se AAK-ja e mbështet mocionin që si pikë e rendit të ditës të jetë edhe greva e minatorëve.
Tahiri theksoi se është, po ashtu, e rëndësishme të diskutohet edhe për kërkesat e Policisë së Kosovës.
“Duhet me urgjencë të trajtohen këto çështje se nëse vazhdohet ky zinxhir i protestave atëherë vendi dhe institucionet janë duke u devalvuar”, tha ai.
Mocioni u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kanë ftuar anëtarët e sindikatës së Trepçës që të vijnë në komision dhe të diskutojnë për kërkesat e tyre.
“Takimi është mbajtur kemi diskutuar katër orë të tëra, ne u dakorduam që në propozimin tonë që çështja e kryeshefit të trajtohet me urgjencë, të merret obligimi nga Ministria e Ekonomisë që pagat e minatorëve të ekzekutohen çdo muaj më së largu deri me datën 10 dhe të punohet për kushtet e punës, gjë të cilën qeveria tashmë e ka marrë miratimin për aprovimin e kredisë për 20 milionë euro investime në Kombinatin Trepça”, ka thënë Kusari-Lila.