Brukseli tash e disa ditë është bërë vendqëndrim për disa prej deputetëve kosovarë.
Anëtarët e komisioneve parlamentare për integrime dhe politikë të jashtme, këtu po realizojnë takime të rëndësishme me eurodeputetë, e përfaqësues të tjerë të Bashkimit Evropian.
“Është një sukses i madh për Kosovën që për herë të parë ka hyrë në agjendë të liberalizimit të vizave e cila do të mbahet më 13 tetor. Kur kemi qenë në Presidencën Çeke kemi marrë përkrahje edhe atje dhe gjithashtu presim që ky proces të përfundoj në favor të Kosovës”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Mirëpo, deputetja Krasniqi, tregon se akoma duhet punuar me disa shtete.
“Shtetet me të cilat duhet qeveria më së shumti të punoj është Holanda, pasi ende nuk e kemi një dritë të gjelbërt se ata do të na përkrahin në këtë proces, ndërsa sa i përket shteteve të tjera, kemi parë që Franca në këtë proces ka dhënë paksa indikacione se do të na përkrahë, mirëpo Holanda mbetet ende skeptike”, ka vijuar ajo.
Pritshmëri të larta për liberalizim të vizave, kanë edhe në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.
“Meqë tashmë është aktivizuar Presidenca Çeke, ne jemi shumë pozitiv që Këshilli i Evropës është i gatshëm të votoj pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Në qoftëse ndodhë një gjë e tillë, atëherë krejt çka duhet të bëhet është që të ndryshohet aneksi i rregullores 539/2001, i cili liston vendet që duhet të pajisen me viza përpara se të hyjnë në zonën shengen”, ka thënë Arbresha Loxha nga GLPS.
Loxha që drejton GLPS-në, tregon se sipas përvojave të shteteve në të kaluarën, i gjithë ky proces pritet që zgjasë për rreth gjashtë muaj.
“Nëse nuk gabohem, për vendet e tjera ka marrë deri më gjashtë muaj. Pra nëse kemi një vendim në tetor, mund të presim ndoshta në fund të shkurtit ose në fillim të marsit më së voni me pas lëvizje të lirë, por që nuk kisha dashtë me spekulu, unë vetëm po bazohem në atë që kemi parë në raste të tjera”, ka vijuar ajo.
Presidenca çeke e BE-së, tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Diskutimi pritet të ndodhë me 13 tetor, në ditën e takimit të grupit punues të Këshillit Evropian.