Deputeti i LVV-së: Lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit, kërcënim për Kosovën – Serbia po ledhatohet nga bashkësia ndërkombëtare

deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, njëherit edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, tha forcave ushtarake serbe pranë kufirit janë kërcënim për Kosovën

Lëvizje të forcave ushtarake serbe janë parë ditëve të fundit në afërsi të kufirit me Kosovën.

Pamjet që u publikuan nga kryeministri Albin Kurti, ku njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë, vërehen duke lëvizur në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut, nxitën reagime në vend, e po ashtu edhe tek ndërkombëtarët, të cilët theksuan se po përcjellin me kujdes lëvizjet e tyre.

Lidhur me këto zhvillime për Telegrafin është deklaruar deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, njëherit edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës.

Bajqinovci tha se këto lëvizje janë kërcënim për Kosovën.

“Serbia diku rreth 50 përqind të arsenalit ushtarak por edhe të ushtrisë i ka rreth Kosovës. Mbi 48 baza të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe janë të stacionuara. Është kërcënim për Kosovën, pra nuk ka dilemë”, thotë ai.

Sipas Bajqinovcit, Serbia po bën këto veprime në mënyrë që të bëjë presion mbi ndërkombëtarët, për çështje të cilat tashmë i ka humbur.

“Këto kanë të bëjnë më faktin që Serbia është duke humbur ndikimin në veri të vendit, duke filluar nga strukturat paralele, që më nuk i ka funksionale, e deri te zbatimi i ligjeve dhe shtrirja e sovranitetit në veri, duke filluar nga tabelat, dokumentacioni, stacioni policor e çdo gjë tjetër. Pra, është një lloj presioni, që ai presion më pas të konvertohet dhe të jetë presion mbi institucionet e Kosovës”, theksoi ndër tjera ai.

Deputeti i LVV-së, pohoi se çështja është e ndjeshme dhe se për këtë duhet që bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë presion Serbisë dhe të largojë ushtrinë nga kufiri me Kosovën.

Gjithashtu, ai potencoi se janë duke përcjellur me vëmendje lëvizjet përreth kufirit.

“Është shqetësuese edhe ne si institucione jemi duke përcjellur çdo hap të tyre, dhe institucionet e sigurisë janë në gjendje gatishmëriw për çdo gjë që t’i dalin në mbrojtje vendit”, tha Bajqinovci.

Sa i përket reagimit të ndërkombëtarëve, Bajqinovci vlerëson se ndaj Serbisë nuk po merret asnjë masë.

“Serbia është trimëruar pas rastit të Banjskës, prandaj bën këto taktika dhe u dërgon ushtrive arsenal rreth kufirit. Pas sulmit, nuk kemi parë asgjë përveç një deklarate të BE-së që dënon sulmin por masa ndaj Serbisë nuk ka pasur. Por ka masa ndaj Kosovës që e mbron sovranitetin e vet, kemi standarde të dyfishta, Serbia po ledhatohet nga bashkësia ndërkombëtare”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, lëvizjet përreth kufirit ndodhën pak ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Ne do të flasim në një mënyrë tjetër. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të bisedojmë, por tani me një qasje tjetër”, kishte thënë Vuçiq.

Serbia kishte kryer një sulm terrorist në shator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe një polic tjetër ishte plagosur.

Pas sulmit, policia kishte konfiskuar sasi të madhe të armatimit në veri.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Ndaj tij, INTERPOL ka lëshuar një urdhërarrest./Telegrafi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika