Deputeti i VV-së, njëkohësisht nënkryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka thënë se janë duke e pritur përgjigjen zyrtare nga administrata e Kuvendit, për ta vërtetuar nëse ka pasur kuorum për kalimin e Projektligjit për tekste shkollore apo jo.
Në një prononcim për media pas mbledhjes së këtij Komisioni, Gola tha se nuk kanë autoritet t’i ndalin procedurat, përkundër dyshimeve të opozitës dhe disa deputetëve të pozitës, të cilët thonë se nuk ka pasur kuorum në momentin kur është votuar në Kuvendin e Kosovës.
Lexo edhe: “I kontrabanduar”- Opozita e bojkoton mbledhjen e komisionit për Projektligjin për tekste shkollore
“Lidhur me dilemën e ngritur përsa i përket numrit të votave, asgjë të pazakontë nuk ka se si po procedohet ky projektligj. Komisioni për Arsim nuk ka autoritet për ta ndalë procedurën automatike, e cila fillon në momentin kur nga kryetari i Kuvendit kemi një vendim i cili i detyrion komisionet, në këtë rast komisionin për Arsim, për të vazhdfuar tutje në shqyrtimin tutje nen për nen të këtij projektligji”, tha ai.
Ai tha se nuk mund të dilet në asnjë përfundim përderisa nuk ka përgjigje zyrtare nga administrata e Kuvendit.
“Nëse ka diçka kontestuese ashtu si po ngritet nga opozita, është komisioni për legjislacion, për mandate edhe për rregullore që ka për obligim dhe mandat për me interpretu nëse është shkelë rregullorja apo jo. Ne si komision nuk guxojmë të ndalim automatizimin e kësaj procedure, por duhet të procedojmë përputhje me obligimet që vijnë nga seancat plenare, nga përfundimet që vijnë nga kryetari që reflektojnë seancën. Nuk guxojmë të prejudikojmë kurrfarë epilogu në ankesat e ngritur, nuk jemi adresa e duhur për t’i adresuar ato. Është kabineti i kryetarit dhe administrata”, tha ai.
Edhe pse tashmë ekzistojnë dyshime të bazuara mirë se ky projektligj nuk i ka pasur votat e mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, ekzekutivi vazhdon të mos marrë hapa në sqarimin e kësaj çështjeje.
Këto dyshime janë ngritur fillimisht nga vetë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, e pastaj edhe nga të opozitës, të cilët thonë se në ditën kur u votua për projektligjin në fjalë, nuk ka pasur kuorum.
Lexo edhe: (VIDEO) Kastrati: Projektligji për tekste shkollore u kontrabandua, VV vodhi vota në Kuvend
Deputetët e opozitës e kanë akuzuar rëndë pushtetin, duke thënë se projektligji për tekste shkollore është kontrabanduar.
Sipas tyre, në votim nuk kanë marrë pjesë mbi 60 deputetë, por saktësisht 60 e që nënkupton se nuk ka pasur kuorum për votimin e projektligjit.
Lexo edhe: “Kuvendi është shtëpia jonë”, “Merrne Dejonën në grup punues” – Dumoshi e ashpër me Nagavcin
Disa deputetë kanë bërë kërkesë te sekretariati i Kuvendit për të parë se a kanë qenë votat e mjaftueshme për kalimin e projektligjit, por për një gjë të tillë ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare.