Deputeti i VV-së: Veteranët po anashkalohen, nëse vazhdon kështu prapë do të votoj kundër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka thënë se veteranët janë të diskriminuar dhe se janë duke jetuar në kushte të vështira ekonomike. Ai ka bërë të ditur se prapë do të votojë kundër ndryshimit të projektligjit që e përjashton kategorinë e veteranëve të luftës nga rritja e pagës minimale

Fatmir Humolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka paralajmëruar se nëse veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) anashkalohen, përsëri do të votojë kundër, ashtu siç kishte bërë në seancën e së hënës të Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend të ditës ishte Projektligji për ndryshimin e pagës minimale.

Përveç kësaj, ai kishte votuar edhe pro mocionit të Partisë Demokratike të Kosovës, që kishte për qëllim heqjen nga rendi i ditës të pikës për pagën minimale.

Ai ka thënë për Portali D, se Qeveria e Kosovës nuk duhet të tentojë ta anashkalojë kategorinë e organizatave të dala nga lufta e fundit në Kosovë.

“Qeveria duhet dhe besoj që do ta ketë parasysh për rrethanat që janë duke u zhvilluar, që të mos anashkalohet kjo kategori. Nëse anashkalohen, prapë unë do të jem me votë kundër”, është shprehur Humolli.

Humolli, njëherësh edhe deputeti i vetëm i pozitës, që votoi ndryshe nga partia e tij, u shpreh se vota  është individuale dhe se është e natyrshme që deputetët të votojnë ndryshe nga partia e së cilës janë pjesë.

 është i vetmi deputet i Vetëvendosjes, që nuk pajtohet me projektligjin i cili nuk ua rritë pagat veteranëve - Radio Kosova e Lirë
Fatmir Humolli, deputet i Vetëvendosjes,

“Unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe nuk i paragjykoj asnjë votim, une gjykoj kur është e drejtë. Edhe PDK ka votuar, kur ka propozuar VV-ja ligje, nuk e di pse duhet të shikohet kjo si jo e natyrshme. Mua votat më kanë ardhur në mënyrë personale sikurse secilit”, ka thënë Humolli për Portali D.

Në mes të tjerash, deputeti i LVV-së ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mekanizma që do t’i hetonte, siç ka thënë “mashtruesit që paraqiten si veteranë”.

Sipas tij, “veteranët e rrejshëm”, janë ata që po i shkaktojnë më së shumti telashe “veteranëve të vërtetë”. Mënyra më e mirë, sipas Humollit, është që të pastrohen listat e tyre.

Megjithëkëtë, ai thotë se veteranët e luftës duhet të jenë pjesë e ligjit për pagën minimale, sepse sipas tij, nuk është e drejtë të sakrifikohen të gjithë për shkak se ekzistojnë disa të tjerë që kanë mashtruar.

“Paga minimale është dashur të votohet shumë më herët, por duke qenë edhe pjesë e pagës minimale edhe veteranët e luftës, duke mos futur probleme të natyrës së listave të veteranëve të luftës përmes këtij ligji. Kuvendi i Kosovës është dashur ta ndërtojë një task-forcë, për ta rregulluar problemin e listës së veteranëve, por pa pasur pasoja për veteranët e luftës”, është shprehur ai.

Pamje nga protesta e veteranëve të luftës

Ai ka thënë se veteranët dhe organizatat e tjera të dala nga lufta, janë duke jetuar në kushte mjaft të vështira ekonomike. Trajtimi që po u bëhet atyre, sipas tij, është diskriminues.

“Veteranët e luftës sot janë në gjendje të keqe ekonomike dhe vetvetiu, dhe si shoqëria jonë i lejon të jetojnë në këtë gjendje është në krim që bëhet ndaj kundër një vlere që është vlerë kombëtare, nuk duhet të shihet këtë për shkak të matrapazëve që i keqpërdorin veteranët që t’i fusin në pozitë të keqe të gjithë veteranët e luftës”, ka thënë ai.

“Unë e di që secili po tenton të përfitojë prej veteranëve, a dëmin më të madh po ia bëjnë kësaj kategorie. Ne kemi obligim ndaj tyre, sepse ata e kanë sakrifikuar jetën që ne sot ta kemi mundësinë të vendosim në Kuvend, dhe është e padrejtë kushdo që sillet ndaj tyre në këtë variant”, vijon ai.

Ndryshe, gjatë ditës së martë, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve të luftës, është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.

Ai ka thënë se lista e veteranëve të luftës duhet të pastrohet.

“Duhet të bëhet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejt ata që njëmend kanë luftuar, duhet të bëhet diferencimi”, është shprehur Murati.

Logo e UÇK-së. Ilustrim

Një numër i madh i veteranëve të UÇK-së kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kohën kur pritej të hidhej në votim Projektligji për ndryshimin e pagës minimale, i cili nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Nga 61 deputetë që i ka në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, në seancë kishin marrë pjesë vetëm 51, ndërkaq një nga deputetët e tyre, Fatmir Humolli, nuk kishte votuar për ndryshimet e projektligjit për pagën minimale.

Protesta ka eskaluar kur protestuesit janë përpjekur që të hyjnë në ndërtesë të kuvendit. Dy policë dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar në protestë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika