Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka përmbledhur të gjitha takimet e saj që pati në kuadër të vizitës në Kosovë.
Në një postim në llogarinë e saj në platformën X, shkroi për takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Ne patëm një diskutim kuptimplotë për sigurinë e Kosovës, nevojën për ekuilibër brenda komunitetit ndërkombëtar në procesin e dialogut dhe llogaridhënien si bazë për paqen”, shkroi ajo për takimin me Kurtin.
Kurse, presidenten e falënderoi për pritjen e saj.
“Ishte privilegj ta vizitoja Kosovën për herë të parë. Tre ditë të ngarkuara dhe mundësi për të diskutuar për shqetësimet urgjente të sigurisë, nevojën për dialog ndërmjet komuniteteve dhe për të dëgjuar zërat e Kosovës. Faleminderit presidente Vjosa Osmani që më ftove dhe më prite”.
Po ashtu, Kearns, takimin me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e quajti mjaft informues.
Lidhur me armët e përdorura në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Kearns tha se ishin të shkallës ushtarake dhe shumë moderne.
“I isha mirënjohëse Policisë së Kosovës dhe ministrit të Brendshëm që më informoi në detaje për sulmin terrorist të 24 shtatorit duke përfshirë planifikimin e tij. Armët që ata gjetën ishin serbe, të shkallës ushtarake dhe shumë moderne. Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre ndaj të gjitha komuniteteve ishte i dukshëm”, tha ajo.
Në anën tjetër, Kearns tha se gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka diskutuar për bashkimin e vendit në Parlamentin e Evropës.
Ajo madje e ftoi Konjufcën për një vizitë në Britaninë e Madhe.
“Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe unë diskutuam se si vendi ynë mund të bashkohet, bashkohen në parlamentin e Evropës dhe aspiratat tona të përbashkëta për një Kosovë paqësore të sigurt dhe në Ballkanin Perëndimor. Isha e kënaqur ta ftoj të vizitonte Britaninë e Madhe”, ka thënë ajo.
Një takim tjetër zhvilloi edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
“Një diskutim i gjallë dhe intensiv me zëvendëskryeministrin e Kosovës, zëvendëskryetarin e Kuvendit dhe deputetët për Kosovën, sfidat me të cilat përballet rajoni, shpresat tona për të ardhmen dhe mundësitë që i pret këtij populli pasionant”.
Pos tyre, Kearns shkroi edhe për takimin që pati me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më të cilën diskutoi për dhunën në familje, dhunën seksuale e reformën në drejtësi.
“Ishte kënaqësi që takova ministren e Drejtësisë për të diskutuar dhunën në familje, dhunën seksuale dhe punën që po bën Kosova për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të rritur besimin në institucionet e saj. Kam dëgjuar shumë respekt për të në diskutimet e mia me shoqërinë civile”.
Informues e quajti edhe takimin me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
“Diskutimet e mia me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ishin shumë informuese dhe e vlerësova shumë kohën dhe hapjen e tij për të diskutuar vizionin e tij të fuqishëm për kohezionin e komunitetit dhe të ardhmen e vendit të tij – e emocionuar që e pashë atë të ketë sukses me planet e tij”.
Në kuadër të vizitës së saj, pos krerëve të shtetit, Kearns nuk la pa takuar edhe familjen e rreshterit policor, Afrim Bunjakut, i cili humbi jetën në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë.
“Jam nderuar nga familja e Afrim Bunjakut, policit të vrarë nga terroristët e 24 shtatorit, të cilët me dashamirësi më ftuan në shtëpinë e tyre që të shpreh ngushëllimet e mia. Fjalët e mia nuk ua larguan kurrë dhimbjen, por Afrimi shpëtoi jetë atë ditë dhe unë doja të bëja nderimet e mia”.
Po ashtu, ajo pati takime edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, grupe për të drejtat e grave e shoqërinë civile.
🧵It was a privilege to visit Kosovo for the first time.
A busy three days, and an opportunity to discuss pressing security concerns, the need for dialogue between communities & to listen to the voices of Kosovo.
Thank you President @VjosaOsmaniPRKS for inviting & receiving me. pic.twitter.com/LGGsr7VMiX
— Alicia Kearns MP (@aliciakearns) October 23, 2023