Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës që të ndërmarrin masa lidhur me funksionimin dhe transparencën e disa mediave private.
Kjo për shkak se sipas saj, mediat në Kosovë po bëjnë shantazhe politike.
Gjatë fjalimit të saj në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ajo ka theksuar se kjo gjë të cilën ajo e konsideron “shqetësuese”, është përmendur edhe në rezolutën e fundit për Kosovën të miratuar nga Parlamenti Evropian, gjë që sipas saj nuk kishte ndodhur më parë.
“Një gjë shqetësuese që përmendet në Rezolutën e fundit, dhe që nuk është përmendur asnjëherë në Rezolutat e mëparshme edhe si qeveri duhet të merren masa, është se vitet e fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online që po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, ka thënë ajo.
“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funskionimin e mediave, me transparencën si dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, shtoi Pacolli.
Megjithatë, ajo ka potencuar se Rezoluta ka mirëpritur emërimin e Brodit të ri të tansmetuesit publik të RTK-së, “në mënyrë transperente dhe të bazuar në media”.
Ndërkaq, deputetja e partisë në pushtet, po ashtu, ka theksuar se kjo është hera e parë që një raport për Kosovën merr kaq shumë mbështetje.
Madje nuk la pa përmendur mbështetjen e eurodeputetëve gjatë fjalimeve të tyre, të cilët sipas saj kanë vlerësuar lart punën e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Ndryshe, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, e ka miratuar raportin për Kosovën, në të cilin kërkohet heqja e vizave për shtetasit e Kosovës.
Nga 57 eurodeputetë që kanë marrë pjesë në votim, 43 kanë votuar pro, nëntë kundër dhe pesë kanë abstenuar.
Në draftin e raportit që e kishte prezantuar më parë raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, është përsëritur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liri të lëvizjes.
Në tekstin e këtij dokumenti i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës
Në dokument përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aspiratat e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sikur edhe thirrja për pesë vendet anëtare të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Kosovës i bëhet ftesë të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndonëse konstatohet se Kosova ka shënuar një përparim në këtë drejtim.