Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Floretë Zenjullahu, e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për keqpërdorime dhe për “hajni”, që sipas saj, Qeveria është duke e kryer në raport me çmimet e barnave.
Duke iu referuar raportit të KDI-së, ajo ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka blerë barna me çmim më të shtrenjtë sesa çmimi i tregut.
“Vërtetohen keqpërdorime dhe hajni me barna që kjo qeveri është duke u kryer. Për blerje të oksigjenit nga hulumtimi i KDI-së, rezulton se janë keqpërdorur më shumë se 57 mijë euro. Rasti tjetër për paracetamol që kushton një euro, msh e ka ble mbi 3 euro”, ka deklaruar Zenjullahu.
Në emër të PDK-së, Zenjullahu ka propozuar që të caktohet një çmim fiks apo maksimal për rregullimin e çmimit të barnave. Sipas saj, qytetarët janë dëmtuar vazhdimisht si pasojë e çmimeve të larta të barnave, sidomos atyre esenciale.