Deputetja e Vetëvendosjejes, Mirlinda Tushaj Sadiku ka arsyetuar punësimin e vajzës së zëvendëskryeministres në Qeverisë Emilia Rexhepi në Radio Televizionin e Kosovës, duke u thirrur në atë se edhe qeveritë e kaluara kanë punësuar të afërmit e tyre në institucionet publike.
Ajo këto deklarata i bëri pas akuzave të deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa për punësimet partiake nga Bordi aktual i RTK-së.
Sadiku ka përmendur edhe punësimet e mëhershme të familjarëve të personaliteteve të PDK-së në transmetuesin publik.
“Nëse i referohemi punësimeve partiake, duhet t’i përmendim edhe ato të PDK-së”, ka thënë ajo.
Ajo përmendi disa nga figurat e partisë Demokratike të Kosovës, të cilët sipas saj kanë punësuar të afërmit e tyre në institucionet publike.
“Sa i përket konkursit publik që u përmend vajza e zëvendëskryeministres. Ajo ka marrë atë pozicion në bazë të një konkursi publik si gazetare për komunitetin boshnjak. Nëse i referohemi punësimeve partiake, duhet të shikojmë se edhe më herët çfarë ka ndodhur. E keni vajzën e Xhevahire Izmakut që është punësuar. Blerta Deliu e ka punësuar vëllain zyrtar të lartë të prokurimit. Po ashtu, Xhavit Haliti djalin e axhës. Ndërsa, motra e Memli Krasniqit, merr tender në vlerë 216 mijë euro, si dhe Vlora Çitaku e ka të punësuar të afërmen Jeta Çitaku”, tha ajo.