Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka ironizuar me deklaratën e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, i cili ka thënë se është “Dita e 70 e Kosovës nën sanksione”.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është së bashku në Estoni me Driton Selmanajn si përfaqësues të Forumit për Transparencë në Kuvend, ku pjesëmarrës është edhe kryeministri Kurti, kështu duke mohuar deklaratat e opozitës se Kosova është nën sanksione nga aleatët.
Kryeziu-Hyseni ka thënë se Kurti do të ketë takim edhe në Departamentin e Shtetit Amerikan, duke ironizuar “Super sanksione koleg”.
“Këtu është edhe Kryeministri Kurti i cili pas fjalimit të tij që pati duartrokitje të gjata, takoi Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, Presidentin e OGP, Sanjay Pradhan, pas drekës së shtruar nga Ministri i Punëve të Jashtme, Margus Tsahkna, do të ketë takim edhe me Departamentin e Shtetit Amerikan”, ka shkruar ajo.
Më herët, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se sot janë bërë 70 ditë prej kur Kosovës i janë vënë sanksionet nga Bashkimi Evropian.
Ai ka shkruar se Kurti “më në fund e ka pranuar që sanksionet po e dëmtojnë Kosovën financiarisht dhe politikisht”.