Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se qëndrimi për moszbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit nuk ka ndryshuar as nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe as i delegacionit që e përfaqëson Kosovën në dialog.
“Që nga fillimi i qeverisjes së Kurtit ka pasur marrëveshje të vështira, qëndrimi për Asociacionin është i njëjtë, ju e dini se cili qëndrim është i kryeministrit Kurti, i njëjti qëndrim është edhe i delegacionit që e përfaqëson Kosovën në dialog, i njëjti qëndrim është edhe si qytetarë, nuk besoj që sot ka qytetarë që është dakord që të zbatohet një asociacion me kompetenca ekzekutive, siç po e kërkon Serbia në këtë kohë”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, letra e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emanuel Macron, drejtuar kryeministrit Kurti, për disa vendime të vështira që iu kërkohet të plotësohen nga shteti i Kosovës dhe Serbisë, sipas saj, këto vendime janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme, si njohja reciproke në mes të dyja shteteve.
“Varësisht çfarë kuptohet me vendime te vështira dhe kujt i referohen ata si vendime te vështira, një vendim i vështirë është edhe një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për të dyja shtetet sepse është lehtë e arritshme sikurse është edhe njohja reciproke”, ka deklaruar ajo.

Deputetja, Kryeziu- Hyseni, për emisionin FIVE, ka thënë që secila marrëveshje që është arritur deri më tani në kuadër të dialogut prej kur po qeverisë qeveria Kurti kanë qenë marrëveshje të vështira, e që po ashtu, sipas saj marrëveshjet që janë në vazhdim do të jenë edhe më të vështira se këto që janë nënshkruar deri më tani.
Ndërsa, ajo ka thënë se pankartat me shkrime në veri të Kosovës, janë provokime të vazhdueshme që kanë ardhur prej anës së Serbisë, sidomos në periudhë të ndjeshme, si kjo kur të premten që ishte në vizitë përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe dy emisarët të cilët janë ngarkuar si ndërmjetësues me kërkesë të presidentit francez dhe kancelarit gjerman.
Gjithashtu, sipas saj, nuk është lista serbe kompetente të dal edhe të flas për nevojat e qytetarëve serb në Republikën e Kosovës, kur dihet se çfarë përpjekjesh, dhe se çfarë interesi kanë ata që vërtet interesohen se cilat janë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve serb brenda për brenda Kosovës.
Ndërkaq, në emisonin FIVE, ishte i ftuar në lidhje direkte edhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, i cili ka deklaruar se mesazhet nga serbët në veri janë të rrezikshme, dhe u ka bërë thirrje presidentes së Kosovës dhe kryeministrit, Kurti që të bisedojnë, sepse situata me qytetarët serb në veri është e acaruar.

Sipas tij, takimi i së premtes me Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, kishte të bëjë me çështjen e sigurisë në veri, dhe çështjes së marrëveshjes finale, në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Unë shpresoj shumë që në këtë kontekst në takimin e sotëm, është biseduar kjo çështje meqë duhet të potencojmë që në veri të Kosovës kemi probleme të çështjes së sigurisë, dhe situata në veri nuk është njëjtë sikurse në pjesët tjera të Kosovës ku jetojnë serbët”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, ai ka thënë se të dy emisarët nuk janë thirrur që t’i tregojnë ato kushtet e vështira, por që sipas tij, është duke u përgatitur një konferencë në Berlin në muajin nëntor, pra, këto vizita e kanë këtë përgatitjen për atë konferencë që do ta udhëheqë kancelari Scholz në Gjermani