Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka denoncuar sërish keqpërdorimin e 9 milionë eurove nga Ministria e Infrastukturës, e cila që nga 22 marsi i vitit 2021 e deri më 7 prill 2022, kishte lidhur 42 kontrata njëburimore, pa konkurrencë dhe pa procedura.
Përmes një konference për media, Deputetja Hoxha ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, veprim i cili do t’i hapte rrugë hetimeve të pavarura.
Pasi cilësoi pushtetin aktual si “Pushtet abuziv, jo transparent dhe nxitës të korrupsionit e keqpërdorimit”, Hoxhaj ka përmendur 42 lidhjet e kontratave për punë shtesë për të cilat ajo thotë se nuk janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta të prokurimit.
“Me 18 prill të këtij viti, përmes një konference të ngjashme për shtyp, ju kemi adresuar mediave dhe qytetarëve, për të ngritur shqetësimet tona të bazuara rreth keqpërdorimit të pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës, duke prezantuar fakte e dëshmi për atë që ne e konsiderojmë si një ndër aferat më të dyshimta korruptive brenda kësaj ministrie. Përkatësisht, ku nga vetëm 22 marsi i vitit 2021, e deri me 7 prill të këtij viti, pra për një vit e dy javë, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur gjithsej rreth 42 kontrata një burimore, duke keqpërdorur hiq më pak se rreth 9 milionë euro para të taksapaguesve, përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.”, ka thënë ajo.
Më tej, ajo ka thënë se “një të tillë e kemi parë jo më larg se para dy ditësh nga hulumtimi i gazetës Nacionale, ku janë prezantuar fakte e dëshmi të marrëveshjeve të kundërligjshme mes akterëve, të cilët kanë për referencë anëtarë të ngushtë të Kabinetit të Ministrit Aliu. Pra, pushteti i Qeverisë Kurti, Ministrinë e Infrastrukturës dhe jo vetëm, e ka shndërruar në burim të keqpërdorimit të parasë publike”.
Deputetja Hoxha ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për heshtjen e saj ndaj këtij rasti gjersa ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie dhe përgjegjësi ndaj të përfshirëve në këto afera.
“Abuzimi me 9 milionë euro me kontrata nën tavolinë, nuk të kalojë pa përgjigje”, ka theksuar Hoxha duke shtuar se “kjo gjë flet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me emra të përveçëm, por më një sipërmarrje politike qeveritare që është e prirur për korrupsion e abuzim”.