Edona Llalloshi ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, por krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë.
‘Deri kur’-projekti i saj i ri muzikor me dedikim për gratë e vrara nga bashkëshortët e tyre. Kënga është një baladë prekëse, e cila trajton temën e dhunës ndaj grave dhe nevojën urgjente për të ndërprerë këtë cikël të dhunshëm.
Publikimi i kësaj kënge është një përgjigje artistike dhe sociale ndaj dy rasteve të tmerrshme që ndodhën së fundmi në Kosovë, ku dy gra u vranë tragjikisht nga bashkëshortët e tyre brenda katër ditëve.
Rastet e dhunës shtetërore si këto janë ato që e bënë Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të shpallë ditë zie, duke reflektuar një periudhë reflektimi dhe solidariteti ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Klipi i këngës “Deri kur…” ishte i planifikuar të prezantohej në një event special që do të mbahej nën patronatin e Ministrisë së Drejtësisë, por për shkak të rasteve tragjike, eventi u anulua.
“Në dritën e ngjarjeve të trishta të fundit, kemi vendosur që eventi ynë promovues me 18 Prill për vetëdijesimin kundër dhunës ndaj grave të anulohet. Në vend të aktivitetit të planifikuar, ne inkurajojmë të gjithë miqtë dhe përkrahësit tanë të reflektojnë mbi rëndësinë e solidaritetit dhe përpjekjet për të luftuar dhunën në shoqëri.
Ju lutemi të vazhdoni të na ndihmoni në përpjekjet tona për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë. Faleminderit për mbështetjen dhe kuptimin tuaj në këtë moment të ndjeshëm”, ka shkruar Llalloshi në rrjetin social ‘Instagram’.
View this post on Instagram
Ndërsa nën ndikimin e këtyre ngjarjeve, Edona Llalloshi ka zgjedhur të vazhdojë me publikimin e këngës, duke përdorur muzikën si një mjet për të luftuar dhunën dhe për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt për të gjitha gratë.
“Video projektin “deri kur” do ta lançojmë menjëherë sonte”, ka shkruar Llalloshi.
Ndërsa projekte si ky ‘Deri kur’, nuk është i vetmi që u mbështet nga Ministria e Drejtësisë, para tri vite edhe artistja e njohur Dafina Zeqiri ka publikuar gjatë muajit mars të vitit 2021 projektin e titulluar ‘Duro duro’.
‘Duro duro’, është një nga projektet muzikore që portretizon problemet e ndryshme të shëndetit mendor, përfshirë këtu depresionin, ankthin dhe dukurinë e vetëvrasjes.