Radha në Qendrën e regjistrimit civil në Prishtinë, për të aplikuar për dokumente është e gjatë, e pritjet janë tërë ditore aty.
Por, përveç pritjes për të kryer aplikimin, qytetarëve të Kosovës u duhet pastaj të presin deri në dy muaj që të pajisen me pasaportë.
Kjo sipas qytetarëve po u shkakton probleme, në planifikimin e udhëtimeve të tyre.
“Unë kam ardh sot me bë aplikimin edhe kemi ardhur me bashkëshortin, që ma shumë se dy ore këtu e pam që është numri kur erdhëm 53, tek tash pas dy ore ka shkuar pak në 100, ne e kemi numrin 228, dmth qysh po e shohim kemi me prit edhe dy ore minimum, me ardh radha jonë me bë aplikimin, kam një familjare që ka treguar se ka aplikuar që 2 muaj dhe ende nuk i ka dalë pasaporta,” u shpreh qytetarja, Flutura Gashi.
Gashi shton se institucionet duhet të hapin edhe qendra të tjera, për të aplikuar për pasaportë, për të shmangur tollovit që krijohen.
“Gjithqysh ish dashtë me pas shtim të stafit, por mendoj se është dashur të bëhet edhe njëfar decentralizimi i kësaj qendrës së regjistrimit, ose më mirë qendrës ku bëhet aplikimi për dokumente, se është shumë e centralizume dhe të gjithë po vijnë,” shtoi Gashi.
Fluks i qytetarëve këtë të hënë ishte edhe në Aeroportin e Prishtinës Adem Jashari. Derisa disa thanë se institucionet është dashur të shtojnë kapacitetet pas liberalizimit të vizave, disa lënë vetë qytetarët fajtor.
“Unë nuk e kam pasur këtë problem, sepse e kam siguruar me kohë por ju e dini që ne i ruajmë gjërat në momentin e fundit, ti kryejm dhe ato nuk bëhen përnjëherë,” tha qytetari Sutki Hulaj.
“Paj ka vonesa normal, se të gjithë përnjëherë nuk munden me shku…nja 45 ditë,” shtoi një tjetër qytetar, Sami Dervishi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme, nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me arsyen e vonesave për tu pajisur me pasaportë, por vetëm kanë thënë se këtë vit ka pasur fluks të madh të aplikimeve, përfshirë qytetarët e nacionalitetit serb.
“Po ka pasur kërkesa krahasuar me vitin paraprak për periudhën e njëjtë, numri i aplikimeve për pasaportave nga data 1 janar 2024 deri me sot është 167603. Edhe në komunat veriore ka një rritje të lartë të aplikimeve për pasaportë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ka një rritje për shtatë herë më të madhe.”
Vonesa në marrjen e dokumenteve, ka pasur edhe një vit më parë për shkak të mungesës së materialit.