Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka thënë se Kosova mund të marrë njohjen nga Serbia.
“Këtë e vërtetoi sot Aleksandar Vuçiq. Këtë fakt duhet përshëndetur për shkak të paqes rajonale dhe stabilitetit të plotë të Ballkanit perëndimor dhe të gjithë neve, që investojmë përpjekje të mëdha politike me qëllim të zgjidhjes përfundimtare. Kurse Serbia do ta fitojë tradhtarin më të madh në historinë e saj”, ka shkruar Bogdanoviq.
Ndërsa, e ka lavdëruar dhe përgëzuar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për këmbënguljen dhe politikën e guximshme që po udhëheq.
“E përgëzoj kryeministrin Albin Kurti për këmbënguljen e tij politike, e cila do të synojë anëtarësimin e Kosovës në BE. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përkushtimi i Kosovës për integrime euroatlantike dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës është politikë e guximshme e Albin Kurtit. Urime”, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter.
E përgëzoj kryeministrin @albinkurti për këmbënguljen e tij politike, e cila do të synojë anëtarësimin e 🇽🇰 në 🇺🇳.
Normalizimi i marrëdhënieve me 🇷🇸, përkushtimi i 🇽🇰 për integrime euroatlantike dhe bashkëpunimi me serbët e 🇽🇰 është politikë e guximshme e @albinkurti
Urime 🇽🇰🇪🇺🇷🇸— Бобан Богдановић (@0dgovor) January 20, 2023
Ndryshe, kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, më 17 dhjetor 2022, derisa po kthehej nga Kosova është ndaluar në vendkalimin kufitar në Merdar, ku policia e Serbisë nuk e ka lejuar të hyjë në Serbi.
E kritika për kryeministrin Kurti gjatë ditës së djeshme kanë pasur disa politikanë vendorë, përfshirë këtu ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti ka këshilluar qeverinë të mbajë premtimet që duhet respektuar në mënyrë që marrëveshja të negociohet.
“KËSHILLË: Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë!”, ka shkruar Hoti në Facebook, derisa ka theksuar se shpreson që qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur një plan për emisarët.
“Shpresoj që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë”, ka thënë Hoti.