Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK)në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari me kodin (03540), ka pretenduar se gjatë vitit 1998 derisa po punonte si rojtar i pyllit, ishte ndalur, sipas tij, nga ushtarët e UÇK-së dhe për 56 dite ishte keqtrajtuar dhe maltretuar fizikisht.
Prokurori e pyeti dëshmitarin serb se a kishte rezistuar në momentin e arrestimit, ai u përgjigj se jo, derisa shtoi se armën që e kishte në pronësi, ua dorëzoi atyre që ai pretendon që ishin ushtarë të UÇK-së.
“Si reaguan ushtarët e UCK-së: Ndërkohë që po kontrolloja pyllin në pikën e quajtur uji i mirë, pashë që po priteshin disa pemë. Shkova të shikoj çfarë po bëhet. Uji i mirë është përrua i madh dhe shkon në Keqekoll. Aty pashë që 4 burra dolën kishin armë automatike, unë i ngrita duart, më afruan m’i mbyllën sytë, m’i lidhën duart pas shpine, dy prej tyre vazhduan të prisnin dru… Ma konfiskuan pistoletën”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, ai tha se i është ofruar një dokument ku kërkohej nga ai ta nënshkruante. Pika e parë, sipas tij, shoshte se ai nuk do të shkelte më në Kosovë, pika e dytë se nuk e kishin keqtrajtuar dhe pika e tretë që ia kishin dhënë të gjitha gjërat personale përveç pistoletës.
“Më duhej, e kisha të nevojshme nëse doja të lirohesha. Dokumenti mban datën 26 shtator, data që më kanë liruar. As nuk isha mjaftueshëm i vetëdijshëm, duhet të nënshkruaja që nuk do të shkelja në Kosovë, që nuk ka ndodhur asgjë e keqe, bëhej fjalë për jetën time. Nuk kishte zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.
Këtë dokument, sipas tij, e kishte detyruar ta nënshkruante Latif Gashi. Sipas tij, Latif Gashi i kishte thënë se nëse nuk do ta nënshkruante këtë dokument do ta vrisnin.