Dështon interpelanca për shkarkimin e Gashit nga posti i kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut

Ka dështuar interpelanca e thirrur për shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Seanca ku pati debat të ashpër përfundoi në orët e vona të mbrëmjes. Vetëm 21 deputetë votuan për shkarkimin e Gashit, ndërsa 72 të tjerë ishin kundër

Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Një interpelancë e thirrur për shkarkimin e Afrim Gashit nga posti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ka dështuar të martën vonë, pasi ajo nuk i mori votat e mjaftueshme gjatë një seancë me debat të ashpër.

Vetëm 21 deputetë votuan për shkarkimin e Gashit, ndërsa 72 të tjerë votuan kundër.

Interpelanca për Gashin nuk kaloi pasi deputetët e shumicës qeverisëse të VMRO-DPMNE-së, ZNAM dhe Vredi votuan kundër iniciativës së partisë “E Majta”, e cila kërkonte përgjegjësi nga Gashi për disa incidente të ndodhura në më pak se dy muaj.

Nevojiteshin votat e së paku 61 deputetëve për shkarkimin e Gashit nga posti.

Përkrahje për interpelancën e dha LSDM-ja opozitare, ndërsa në votim nuk morën pjesë deputetët e BDI-së, të cilët paraprakisht deklaruan se nuk do ta mbështesin interpelancën edhe pse kishin vërejtje për punën e Gashit.

Gashi kishte thënë gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk kishte qëndrueshmëri politike. Ai shpresonte se do të kishte paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe kishte paralajmëruar do ta respektonte vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.

Në kërkesën për interpelancë thuhej se Gashi kishte vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit sepse ai ka lejuar që të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendej edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.

Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

DASH lidhur me aktakuzën për Banjskën: Të respektohet procesi gjyqësor

Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur...

Konjufca i lumtur për vizitën e homologes shqiptare Spiropali: Kosova...

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar homologen e tij nga Shqipëria, Elisa Spiropali, për marrjen e detyrës së re. Kryekuvendari në konferencën...

Osmani: 11 shtatori- ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot 23-vjetorin e sulmit tragjik të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ngjarje që, sipas...

Të fundit nga rubrika