Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Çështje të Mbrojtjes, Bekë Berisha, ka njoftuar se në komision nuk ka kaluar Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policore.
Berisha me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se qasja e qeverisë ndaj shtetit është “për keqardhje”.
“Nuk mbahet shteti kështu! Sot, u diskutua për herë të dytë Projektligji Nr.08/L-160 për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe Punonjësit e Inspektoratit Policor të Kosovës me autorizime policor Edhe kësaj here shumica e Pushtetit nuk e përkrahu këtë Projektligj në Komision. Për keqardhje kjo qasje e Qeverisë ndaj shtetit”, ka shkruar Berisha.
Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kishte prezantuar iniciativën e saj ligjore për këtë projektligj.
Sipas saj, përmes këtij projektligji do të rregullohen e përcaktohen kushtet dhe kriteret për garantimin e pensioneve, llojet e pensioneve, si dhe përcaktohet kategorizimi i pensioneve për pension.
Policia e Kosovës numëron rreth 9500 zyrtarë, forca të cilat janë ndër të vetmet në botë që ende nuk kanë sigurim shëndetësor.