Takimi i planifikuar i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, i cili duhej të mbahej sot, më 15 janar, në Bruksel, nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka fajësuar Serbinë për obstruksion dhe politizim të kësaj çështjeje.
Hoti deklaroi se, ndonëse takimi ishte planifikuar dy javë më parë dhe fokusohej vetëm te çështja e Personave të Zhdukur, pala serbe refuzoi pjesëmarrjen në mënyrë të papritur.
“Sot, më 15 janar 2025, ishte planifikuar që të mbahej takimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në Bruksel ashtu sic eshte paralajmeruar.
Megjithatë, takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë në këtë takim, edhe pse takimi kishte qenë planifikuar para dy javëve”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Sipas tij, kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, ndodhej në Bruksel, por qëllimi i pranisë së tij mbetet i paqartë, duke qenë se takimi kishte një format teknik.
“Kryenegociatori i Serbise ishte i pranishem në Bruksel, pavarësisht që nuk e kam të qartë cfare ka kërkuar aty, pasi që takimi ka qenë i paraparë vetem për ceshtjen e Personave te Zhdukur, dhe formati ka qenë me zëvendësues te Komisioneve.
Prania e z. Petkoviç në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”, ka shtuar Hoti.
Hoti theksoi se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje ishte banal dhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Ai shtoi se ky refuzim tregon mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të ndjeshme, duke theksuar politizimin ekstrem të kësaj teme nga autoritetet serbe.
“Arsyetimi i Serbisë për mospjessëmarrje në takim përvec që banal është edhe i dëmshem për procesin e zbardhjes se fatit të personve të zhdukur, dhe nuk ka të bëjë asgje me temen që sot janë thirrur në Bruksel.
Kjo demonstron për të satënherë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme.
Kjo tregon edhe njëhërë politizimin e tejskajshëm të Serbisë në raport me ceshtjen e personve të zhdukur.
Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe ka parashtruar kërkesat tona sipas agjendës së parashikuar, dhe për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajcak që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona tek vendet anëtare të BE-së.
Ne vazhdojmë të kërkojmë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për çështjen e Personave të Zhdukur, duke shpresuar në bashkëpunimin e plotë të të gjitha palëve të përfshira”, ka shtuar ndër të tjera Hoti.
Se ka refuzuar të takohet e ka konfirmuar edhe vetë Petkoviqi, i cili ka theksuar se arsyeja e refuzimit ishe mbyllja e institucioneve paralele serbe në disa komuna të vendit.
Mbyllen institucionet paralele serbe në 10 komuna
“Në Bruksel më priti lajmi për sulmin masiv të Kurtit ndaj institucioneve serbe. Një numër i madh i komunave tona, qendrave për punë sociale, postave po mbyllen me dhunë. Unë erdha me delegacionin nga Beogradi me synimin që sot ta zgjidhim çështjen e personave të pagjetur, ndërsa Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe lëvizjeve të njëanshme…”, ka shkruar Petkoviq në X.