Takimi në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dështuar të mbahet këtë të martë.
Në një prononcim për Portalin Dukagjini, drejtori për informim nga AAK-ja, Lulzim Blaka, ka thënë se takimi nuk u zhvilluar për shkak se siç thotë ai, presidentja Osmani nuk e respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo.
“Ne kishim vullnet për të biseduar me znj. Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit; e për këtë qëllim kryetari Haradinaj ishte në kohën e caktuar në Presidencë. Por, takimi nuk ndodhi, pasi znj. Osmani nuk e respektoi orarin që e kishte caktuar vetë”, tha Blaka.
Ndryshe, presidentja Osmani kishte paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ajo kishte thënë se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare, do t’i thërrasë të njëjtat në një takim për t’i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanët, por edhe të diskutojnë për tema të tjera të interesit nacional.
Osmani ka takuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Krytemë e këtij takimi ishte draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Siç njofton Presidenca, Osmani ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.
Ndërsa, Abdixhiku e ka njoftuar Osmanin lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së draft-statutit.
“Në takim me kreun e LDK-së, presidentja Osmani e ka njoftuar z.Abdixhiku për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë. Më tej, presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit.