Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së premtes, në Lipjan.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka thënë për portalin Dukagjini se i ndjeri nga Lipjani, është pranuar i vdekur në emergjencë, ndërsa dy të tjerët janë trajtuar në reparte të ndryshme.
“3 raste gjithsej, 2 nga Lipjani dhe një i Podujevës. Ai i Lipjanit është pranuar në emergjencë i vdekur, ndërsa tjetri është dërguar në kirurgjinë abdominale për trajtim. Kurse, ky nga Podujeva është liruar për në shtëpi nga ortopedi”, ka thënë Syla për Portalin Dukagjini.
Lajmin për Portali Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Besohet se ngjarja rezultoi e tillë pas një mosmarrëveshjeje.
“Rreth orës 23:40, policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në një lokal në rrugën ‘Lidhja e Prizrenit në Lipjan. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat e deritanishme janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me vrasje të një personi, si dhe plagosjen dhe dy personave të tjerë”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, ajo ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”.
Portali Dukagjini ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë janë duke ndërmarrë veprimet hetimore për arrestimin e personave të dyshuar, deri në zbardhjen e plotë të rastit, ka thënë Ahmeti.
Bazuar në raportin e Policisë së Kosovës, dy persona kanë shtënë me armë në drejtim të tre të tjerëve dhe më pas kanë ikur në drejtim të panjohur.
“Është raportuar se pas një konflikti verbal dhe fizik, dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë qëlluar me armë zjarri tri viktima meshkuj kosovarë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.