Një rast tragjik ka ndodhur të premten në orët e mëngjesit në veri të Mitrovicës, ku një person ka vrarë babain dhe vëllain, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se rreth orës 5-5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllaun binjak U.B.
Sipas njoftimit, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në bazë të hetimeve të para, dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Ndërsa me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Vriten babë e bir pas një konflikti familjar në veri të Mitrovicës, arrestohet i dyshuari