Pas vetëvrasjes së tij, trupi i pajetë i Sokol Halilit është dërguar në emergjencën e QKUK-së, në Prishtinë. Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjinin, Drejtori i Emergjencës, Naser Syla.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka bërë të ditur se Sokol Halili kishte pasur shenja jete, por kishte ndërruar jetë gjatë dërgimit të tij në emergjencën e QKUK-së në Prishtinë.
“Mjeku në Emergjencë e ka konstatuar vdekjen e tij. Ai direkt është dërguar për ne Emergjencë pasi kishte shenja jete, duke e dërguar atje ka vdekur”, tha ai.
Detaje më të hollësishme ka dhënë doktori Florim Bekteshi, i cili ka thënë se trupi i pajetë i Halilit, ka arritur në rreth orës 14:20 minuta.
“Rreth orës 2:20 minuta autoambulanca e Shtimes e sjellë një rast, ku ne gjatë ekzaminimit e konstatojmë vdekjen e tij, dhe pas të gjitha ekzaminimeve e dërgojmë në mjekësinë ligjore, tek ne ka ardhur i vdekur, pa shenja jete, pa puls, pa tension, cianotik”, ka thene ai.
Halili e ka vrarë veten në shtëpinë e tij me armë zjarri, në fshatin Davidovc të Shtimes, teksa shtëpia ishte e rrethuar nga njësia speciale policore.
Instituti i mjekësisë ligjore ka qenë në vendin e ngjarjes, ku edhe ka ndodhur vetëvrasja.
Ndërkaq, shtëpia ku ka ndodhur vetëvrasja është duke u inspektuar detajisht nga organet e rendit.
Në lidhje me këtë rast, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës.
Me gjithë kërkesën e tyre për vetëdorëzim, dorasi nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë.
“Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë, i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes. Lidhur me rastin, janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në njoftim.