Dhjetë persona humbin jetën nga përplasja e autobusit në Australi

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe 25 të tjerë janë në spital pasi një autobus që po transportonte mysafirë të një dasme ishte përmbysur pas një rrethrrotullimi në Australi. Policia ka njoftuar se ka akuzuar drejtuesin e autobusit 58-vjeçar, por ende nuk ka bërë të ditur akuzat

Autobusi u përmbys teksa bënte kthesë në një rrethrrotullim mbrëma të dielën, më 11 qershor, 2023, AP.

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur pasi një autobus që transportonte mysafirë të një dasme kishte humbur kontrollin në një rrethrrotullim në shtetin Australian të Uellsit të Ri Jugor, ka njoftuar policia mëngjesin e së hënës.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:30 të dielën, pranë qytetit Greta, rreth 180 kilometra në veriperëndim të Sidneit. Aksidenti ndodhi në rajonin Hunter, i njohur për vreshtat dhe për lokacionet ku organizohen dasmat.

“E dimë se ata kishin qenë në një dasmë së bashku dhe se po udhëtonin së bashku…me sa duket drejt akomodimeve të tyre”, ka thënë komisionerja e Policisë, Tracy Chapman, gjatë një konference për media.

Policia po përpiqet ende t’i identifikojë të gjithë pasagjerët, ka deklaruar ajo.

Të sapomartuarit nuk ishin në autobus.

Shoferi 58-vjeçar i autobusit, i cili u arrestua, pritet të përballet me akuzat lidhur me aksidentin, siç ka thënë Chapman. Pas ngjarjes, ai u dërgua në spital për testim të detyrueshëm të alkoolit dhe drogës, raporton Reuters.

Edhe pse mjegulla e dendur ishte e pranishme në zonë në atë kohë, shkaku i saktë i aksidentit rrugor, i cili është më i rëndi në Australi në gati tre dekada, nuk është përcaktuar ende, sipas Chapman.

Dy aksidentet më të rënda të autobusëve në Uellsin e Ri Jugor ishin përplasjet kokë më kokë brenda dy muajsh nga njëra-tjetra në vitin 1989, ku humbën jetën 35 dhe 21 persona secili. Tetëmbëdhjetë njerëz vdiqën në vitin 1973 kur një autobus turistik u rrëzua në një shpat pas një dështimi të frenave.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, shprehu “ngushëllimet më të thella” për familjet e personave që humbën jetën.

“Të gjithë ne e dimë gëzimin e të shkuarit në një dasmë…ato janë disa nga momentet më të lumtura që mund të kesh. Për një ditë të gëzueshme si ajo, në një vend të bukur, për të përfunduar me humbje kaq të tmerrshme jete dhe lëndime është kaq mizore, është kaq e padrejtë”, u ka thënë Albanese gazetarëve.

Banorët e zonës janë mbledhur për të bërë homazhe dhe për të vendosur lule pranë vendit të aksidentit.

Vendi ku u organizua dasma, një kantinë e verës e quajtur Wandin Valley Estate, u mbyll të hënën.

“Jemi thellësisht të pikëlluar kur dëgjuam për përplasjen e autobusit gjatë natës që ka marrë jetën e disa prej mysafirëve tanë”, kanë thënë organizatorët.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika