Në një konferencë për media të mbajtur të enjten, Griep ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Dhoma e Specializuar ka nxjerrur vendimin mbi kërkesën referuese të Pjetër Shalës, kërkesë e cila pretendonte shkelje të së drejtave themelore të tij dhe paraqiste kundërshtime lidhur me juridiksionin e DHSK-së.
Është bërë e ditur se Dhoma e Specializuar përbëhej nga Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.
“Paneli konstatoi se kërkesa referuese është e parakohshme dhe rrjedhimisht e shpalli të papranueshëm në pajtim të nenit 113(7) të Kushtetutës, nenit 49(3) të Ligjit dhe rregullës 14(f) të Rregullores së Punës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Griep.
Sipas saj, Zyra Administrative e DhSK-së ka organizuar një vizitë të Hysni Gucatit në Kosovë për arsye humanitare bindëse për të takuar familjen e tij të ngushtë. Një vizitë e tillë kishte ardhur nga një urdhër nga Paneli i Gjykatës së Apelit, më 3 korrik të këtij viti.
“Zoti Gucati ishte i paraburgosur dhe në mbrojtjen e e gjykatës gjatë gjithë vizitës. Në realizimin e kësaj vizite personeli i DhSK u ndihmua nga EULEX dhe Policia e Kosovës. Zoti Gucati u kthye përsëri në objektin e paraburgimit në mbrëmjen e 3 korrikut”, ka thënë ajo.
Griep ka bërë të ditur se këtë javë pati edhe disa zhvillime të tjera lidhur me procedurën e apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj.