Dhomat e Specializuara konfirmojnë se Salih Mustafa ishte në izolim

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar se ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, i ishte ndaluar kontakti i rregullt me një grup të kufizuar personash

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë konfirmuar se ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i cili po gjykohet për krime lufte në Hagë, ka qenë i ndarë nga të paraburgosurit e tjerë.

Mustafës iu kishin vendosur disa masa kufizuese në kontaktet e tij me botën e jashtme.

Kështu ka bërë të ditur për Portali Dukagjini, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep.

“Brenda kornizës ligjore, për arsye konfidenciale, Mustafa ishte ndarë nga të paraburgosurit e tjerë në ambientet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara dhe Paneli kishte vendosur disa kufizime në kontaktet e tij me botën e jashtme”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Mustafës i ishte ndaluar kontakti i rregullt me një grup të kufizuar personash.

“Gjatë asaj kohe, Paneli kishte miratuar një sërë masash mbrojtëse, duke përfshirë kontaktin e rregullt dhe të përshtatshëm me një grup të kufizuar personash”, shtoi Griep.

Megjithatë, kontaktet e Mustafës me të paraburgosurit e tjerë tashmë janë rivendosur.

“Janë rivendosur kontaktet e Mustafës me të paraburgosurit e tjerë në ambientet e paraburgimit”, ka thënë ajo për Portali Dukagjini.

E pyetur për arsyet e izolimit të Mustafës dhe kërkesat për vizitë ndaj tij, Griep ka deklaruar se për shkak të konfidencialitetit nuk mund të ofrojë informacione.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kërkesat specifike të vizitorëve ose vizitat e të paraburgosurve”.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten e 17 qershorit kishte udhëtuar drejt Hagës, për t’u takuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë vizitës në Hagë

Të shtunën e 18 qershorit, Konjufca kishte takuar ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin si dhe ish-komandantin Pjetër Shala.

Kurse një ditë më vonë, më 19 qershor, Konjufca kishte takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Por, të vetmin që nuk e kishte takuar, ishte Sali Mustafa.

Këtë e kishte bërë të ditur vetë Konjufca para mediave.

“Gjendja e ish-krereve të UÇK-së është e mirë. Edhe ata mendojnë që po mbahen padrejtësisht atje. Kam takuar të gjithë, përveç Sali Mustafës. Siç e dini për Salih Mustafën është një proces më i ndërlikuar, ai ka qenë në një izolim deri para një muaji”, ishte shprehur Konjufca.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Pse akuzohet Mustafa?

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës, kundër, të paktën, gjashtë personave”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

“Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, vijonte komunikata.

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Ai akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si, krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa ka filluar në shtator të vitit 2021.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa, mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Salih Mustafa – ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në fillim të këtij procesi, Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Trupi Gjykues në rastin ndaj Salih Mustafës, më 24 qershor të vitit 2022, i ka dhënë fund paraqitjes së provave dhe ka urdhëruar palët që të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare deri më 21 korrik.

Gjithashtu, është caktuar periudha 13 deri më 15 shtator për dhënien e deklaratave përmbyllëse.

Për dëgjimin e deklaratave përmbyllëse, Trupi Gjykues i ka lënë ditë rezervë 16 shtatorin.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika