Dhuna në Kuvend, e turpshme dhe e dëmshme për imazhin e vendit

Seanca plenare e së enjtes ishte mes tensionesh e konfrontimesh në mes të pushtetit e opozitës. Mjaftoi vetëm një pankartë që situata të degradohej e të vijonte edhe deri te dhuna fizike në mes të deputetëve, derisa kjo situatë nuk u shpëtoi as syrit të mediave botërore

Kuvendi i Republikës së Kosovës më 13 korrik 2023

Seanca planare e së enjtes në Kuvend filloi me pakënaqësitë opozitare të cilat nuk vonuan shumë dhe u agravuan.

Ishte fillimisht deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila vendosi pankartën e kryeministrit Kurti me hundë të gjatë para foltores së Kuvendit, kur vetë ai ishte duke folur, që ironikisht e përshkruante si gënjeshtar. Ky veprim nuk i pëlqeu zëvendësit të tij, Besnik Bislimit, i cili e shqeu atë, duke tensionuar kështu situatën.

Ky ishte fillimi se si nisi gjithçka të enjten në Kuvend.

Analisti politik, Visar Xani, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se situata e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ishte neveritëse dhe e rëndë për qytetarët për ta përjetuar.

“Normaliteti i kërcënimeve! Gjuhë e polarizuar… është [normale] të përfundoj me përleshje! Zero unitet dhe rrjedhimisht rezultati i tmerrshëm!”, kështu e përshkruan Xani dhunën në Kuvend.

Ai ka thënë se nëse vazhdohet me këto retorika, epitete dhe polarizim të qëndrimeve politike, mund të rrezikohet që dhuna të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit.

“Fajtor” për këtë situatë Xani ka konsideruar mentalitetin politik, që sipas tij, është i instaluar në kulturën parlamentare.

“Nuk duhet harruar që opozita përdori një veprim të cilin e kishte përdorur partia e pushtetit që në atë kohë ishte në opozitë, por se reagimet ishin shume të ashpra nga ministra dhe deputetë. Duhet kujtuar qe Kuvendi monitoron ekzekutivin, por sjellja e ekzekutivit duket shumë e ashpër”, ka shtuar Visar Xani.

Analisti politik, Visar Xani

Ai theksoi se Partia Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate zgjodhën forma “të dhunshme” për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë. Sipas Xanit, mënyrat e njëjta i kishte përdorur dhe partia në pushtet kur ishte në opozitë.

“Konsideroj që Kosovës i duhet një opozitë ndryshe nga ajo e VV-së. Madje PDK kishte një opozitë shumë më të mirë në vitin 2006/7, kur ishte akoma në opozitë e më pas e mori pushtetin. Pra, ishte jashtëzakonisht e suksesshme fushata e saj me Qeverinë në hije dhe veprimet tjera opozitare. Ndërsa PSD është ajo parti që ishte po e njëjta në VV dhe vetëm ka vazhduar aktivitetin e njëjtë, pra duke mos ndryshuar asgjë”, ka shtuar tutje ai.

Masat dhe veprimet e duhura që pushteti duhet t’i marrë në mënyrë që të tilla ngjarje të mos përsëriten më, sipas njohësit të çështjeve politike janë që fillimisht pozita të heqë dorë nga arroganca dhe nga sjellja sikur është pronare e çdo gjëje. “Ndërsa opozita duhet të ketë kreativitet të moderuar goditës për Qeverinë”, ka theksuar ai.

“Nëse nuk ka ulje të toneve dhe gjuhë parlametare me vlera politike ideore, mund të vazhdojë edhe më tutje kjo dhunë”, ka theksuar tutje ai.

Dhuna në Kuvendit e Kosovës nuk humbi as nga syri i mediave ndërkombëtare e që zuri vend në media amerikane e britanike. Këtë paraqitje të vendit në këto media, Xani i ka cilësuar si “vazhdim i rrënjimit të imazhit të Kosovës”.

Xani është shprehur se ngjarjet e fundit janë të ndërlidhura në sinkron duke e dëmtuar imazhin e vendit, të cilat kanë ndikim negativ në shumë aspekte, qofshin ato politike, ekonomike ose të sferave të tjera.

“Nëse në të kaluarën shpenzonim buxhet për të bërë reklama për ta përmirësuar imazhin, sot me kosto zero kemi investime për ta dëmtuar imazhin e vendit”, ka përfunduar analisti, Visar Xani.

Analisti politik, Shemsi Jashari, në një intervistë për Portalin Dukagjini ka thënë se situata e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ishte e turpshme, e pahijshme por edhe të dëmshme duke marrë parasysh “fazën kritike” ku gjendet aktualisht Kosova.

Sipas tij, nuk ka qenë edhe e papritur degradimi i seancës plenare pas “skandalit Zdravo”.

Megjithatë nuk është se nuk është pritur të degradojë situata deri këtu pas skandalit ‘Zdravo’ dhe relativizimit apo arsyetimit të LVV-së që bëri pas publikimit të tij”, ka thënë Jashari.

Jashari ka përkrahur opozitën kështu duke fajësuar pushtetin. Ai ka thënë se sjellja arrogante e nënçmimi që pozita ia ka bërë opozitës “ka kulmuar” kur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka gjuajtuar me shishe uji deputetin Mergim Lushtaku.

Analisti politik, Shemsi Jashari

“Kjo skenë i ka shkuar për shtati vetëm pushtetit, për të tentuar të mbulojë skandalin e incizimeve të publikuara nga ‘Nacionale’, tërheqjen e policisë nga Veriu, pranimin për shpalljen e zgjedhjeve në veri, sanksionet e vendosura nga BE dhe ShBA e të tjera,  me një skandal të provokuar në Kuvend”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se pankartat “Zdravo” që u përdorën nga opozita ishin “kthim borxhi” për aferën “Pronto”, duke shtuar se ky veprim ishte brenda veprimeve të lejueshme dhe demokratike.

“Po t’i ndodhte qeverisë ky incizim, derisa LVV-ja ishte në opozitë, do të bënin shumë më shumë, do të sulmoheshin institucionet e do të kallej Qeveria”, ka shtuar tutje ai.

Jashari ka theksuar se partitë opozitare nuk i kanë të koordinuara veprimet e veta opozitare, dhe se veprimet e njëjta ishin kundërreaksion i sulmit që sipas tij e filloi zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Që situata të tilla të mos ndodhin më, Jashari ka theksuar se pozita duhet t’i ndalë linçimet dhe sulmet ndaj opozitës.

“Për të mos pasur dhunë në Kuvend dhe për të pasur një punë e qasje konstruktive nga opozita, pozita duhet të ndalë linçimet dhe sulmet ndaj opozitës, duhet të kuptojë se politikën e saj e bën nga pozita e vendimmarrjes pasi ka shumicën dhe ka qeverinë. Të mos sillet me arrogancë dhe nënçmim ndaj opozitës, të ndalë videot propagandistike sa herë gjendet në siklet nga dështimet. Të ketë qasje pajtuese e jo qasje përqarëse”, ka theksuar ai.

Derisa kjo ngjarje pati dhe jehonë ndërkombëtare, analisti politik ka theksuar tutje se kjo ka ndodhur për shkak se fokusi ndërkombëtar aktualisht është në Kosovë dhe rrjedhimisht sipas tij çfarëdo që ndodh ka lidhje në një fomë ose tjetër me zhvillimet aktuale.

“Kjo çfarë ndodhi dërgon një mesazh të keq për imazhin e Kosovës dhe reflekton pasiguri, jostabilitet dhe tremb investitorët e mundshëm”, ka përfunduar analisti politik, Shemsi Jashari.

Këto reagime në parlament kanë ardhur pas audio-incizimeve të Mimoza Kusari – Lilës, me Slavko Simiqin e Listës Serbe. Në këto audio-incizime, dëgjohet Kusari-Lila teksa e pranon që ka biseduar në telefon me Milan Radojçiqin.

Po ashtu, Kusari – Lila te Simiqi ankohet edhe për veteranët, duke i thënë atij se listat e tyre janë fryrë.

Në lidhje me këtë, sot duke filluar nga ora 18:00 do të ketë protestë tek sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika