Dhuna te gratë shtatzëna

Autoritetet e hetuesisë dhe institucionet thonë se të vetëm në vitin 2023 janë shënuar mbi 2700 raste të dhunës në familje, nga të cilat 90% të dhunës ndaj grave. Në katër muajt e parë të këtij viti të paktën 2 gra janë vrarë nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët duke çuar në kategorizimin e këtiji fenomeni në “femicid”

Fotografi ilustruese/ Liridon Spahiu

“Unë veç ty të du” ishte fraza që dëgjonte Drenusha Latifi, çdoherë kur përjetonte dhunë fizike nga bashkëshorti. Në fillim, dashuria ishte si në përralla, për 10 vjet ishin së bashku, por gjithçka nisi të bëhej errët kur dhuna para 3 vjetësh ishte prezente pothuajse çdo ditë.

Aq të shpeshta u bën rrahjet, sa, sipas Latifit, nuk kursehej as gjatë procesit të shtatzënisë.

“Kam përjetu dhunë fizike njëherë gjatë shtatzanisë së dytë, madje ka qenë një mik i tij në banesë dhe e ka larguar nga unë”, rrëfen mes lotësh Drenusha, e cila ishte në muajt e parë të pritjes të shtatzënisë.

Pritja e ëmbël për të bëhej me shije të hidhur nga ana e bashkëshortit, në muajt e fundit të shtatzënisë së dytë.

Drenusha, e lodhur siç thotë nga jeta, me një fëmijë të vogël 3-vjeçar, kishte kohë që ia kishte kërkuar divorcin burrit, me të cilin, dikur kishte “ëndërruar një jetë bashkë”.

Çdo gjë po rrënohej përpara syve të saj dhe i vetmi ngushëllim ishte fëmija, për të cilin, po jetonte.

“Më kishte lodhë shumë fizikisht dhe psiqikisht edhe nga punët e ndryshme, pasi ishim bartur në një qytet tjetër për të jetuar. E kam urrejt vetën në atë periudhë dhe shumë turp prej vetes më ka ardhë”, thotë ajo.

Pos dhunës fizike, bashkëshorti sigurohej që edhe ajo psikike të jetë prezente në mesin e tyre, duke bërë shaka e duke qeshur me gjendjen e Drenushës që pos hallit të fëmijëve, kishte mbi supe edhe punët e shtëpisë dhe ambientimin në shtëpinë e re.

Ajo nuk gjeti qetësi pothuaj në asnjërën nga ditët qëkur kishin kaluar në shtëpinë e re. Teksa flet, e ndrojtur dhe me plagë të rëndë në shpirt, duart i dridhen, shikimin e ka të papërqendruar, vuajtja ka rënduar në fytyrën e saj. Flet me zë të ulët sikur ta dëgjonte tjetri dhe tregon rrëfimin e rrëqethshëm të jetës kur i është dashur që për teket e burrit të saj, t’i bëjë të gjitha, madje edhe t’i bartë gjërat e rënda në banesë. Jeta e saj po bëhej e rëndë pa kuptim, dhe ajo nuk e gjente dot një shpjegim të ndryshimit të njeriut me të cilin kishte menduar ta kalonte jetën. Ndryshoi për pothuaj hiçgjë.

“E mbaj në mend që mobiliet i kam porositur vetë, e po ashtu e vetme i kam tërhequr në muajin e 8-të në katin e 5-të me ashensor, i kam vendosur edhe perdet vetë, e normalisht nga pamundësia i kam vendosur shtrembër, gjë me të cilën ai qeshte dhe ofendonte drejt meje” vazhdon rrëfimin për periudhën që dëshiron ta fshijë nga kujtesa Drenusha.

Rrëfimi i Drenushës është njëri nga qindra rrëfimet e grave dhe vajzave të reja, që jeta i ka përplasur. Autoritetet e hetuesisë dhe institucionet thonë se të vetëm në vitin 2023 janë shënuar mbi 2700 raste të dhunës në familje, nga të cilat 90 % të dhunës ndaj grave. Në katër muajt e parë të këtij viti, të paktën 2 gra janë vrarë nga bashkëshortët ose ish-bashkëshortët, duke çuar në kategorizimin e këtij fenomeni në “femicid”.

E zakonshme është shndërruar dhuna ndaj gruas në praninë e fëmijëve, por “dhunuesit- bashkëshortë” nuk i kanë kursyer as gratë e tyre shtatzëna. Dhuna e kategorizuar si fizike thonë ekspertët e fushës, nis me dhunë psikike dhe verbale dhe ajo me kohë shndërrohet në rrahje. Nuk janë të pakta rastet kur dhuna është përdorur edhe ndaj grave shtatzëna, por shumica e rasteve ose nuk janë lajmëruar, ose janë fshehur  “edhe nga vetë viktima dhe familjarët”.

Dhuna e përjetuar te gratë shtatzëna mund të shkaktojë edhe komplikime tjera sipas gjinekologut Zef Nderaj.

“Nëse kemi të bëjmë me dhunë fizike të shfrenuar, te shtatzëna mund të shkaktohen dhimbje të abdomenit rrjedhje e lëngut amnional, gjakderdhje nga mitra deri te lindja parakohe”, shtoi Nderaj.

E kur jemi te lindjet e parakohshme të shkaktuara nga dhuna fizike, sipas gjinekologut Nderaj, deri më tani nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar.

Ndërkaq, në aspektin psikologjik, dhuna te gratë shtatzëna mund të shkaktojë “probleme shumë të mëdha”, me theks të veçantë në “rritjen e depresionit”, thotë psikologia Antigona Qenaj Sejdiu.

“Dhuna te gratë shtatzëna shkakton ndjenja të mëdha të frikës, ankthit, depresionit dhe ndjenjave të vetëvlerësimit të ulët, kjo mund të çojë në ndikim të dëmshëm mbi shëndetin mendor të nënës dhe në zhvillimin emocional të fëmijës që po mbart”, thotë Qenaj Sejdiu.

Pos te nëna, sipas Qenaj Sejdiu, dhuna e përjetuar mund të ndikojë direkt edhe te fëmijët.

“Fëmija mund të preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga stresi që përjeton nëna” vazhdon psikologia.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë raportuar mbi 750 raste të dhunës në familje, por në raportin e Policisë së Kosovës për shkak të, siç thuhet, mbrojtjes së identitetit të viktimës nuk është bërë me dije nëse ndonjëra nga gratë që ka përjetuar dhunë ka qenë shtatzënë. Policia tha se “janë hetuesit ata që merren specifikisht me rastet konkrete dhe informacionet e tyre nuk zbulohen për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe mbrojtjes së viktimës”.

Aktualisht, në Kosovë funksionojnë dhjetë strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi bazë gjinore, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe fëmijëve të keqtrajtuar, abuzuar, lënë pas dore dhe pa përkujdesje familjare.

Ato janë portë për të gjitha gratë, të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe vendosin të largohen nga shtëpitë ku përjetojnë dhunën, si dhe për fëmijët e tyre.

—-

***

Ky botim është prodhuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Luftimi i Diskriminimit, Gjuhës së Urrejtjes dhe Dhunës në Baza Gjinore”. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e ATRC, IKS, D4D dhe AGK, dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian’;

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika