Në nëntor të vitit të kaluar listës së personave të kërkuar iu shtua edhe një 18-vjeçar i dyshuar për veprën e dhunimit.
I kërkuar pas denoncimit se kishte dhunuar një të mitur e më pas kishte shpërndarë imazhe intime të saj, i njëjti para disa ditësh, u lodh nga ikja dhe u vetdorëzua.
Tanimë mbi të, përpos kësaj vepre rëndojnë edhe dy vepra të tjera penale.
“Në nëntor të vitit të kaluar kemi pasur një rast të rëndë penal, për fat të keq viktima ka qenë e mitur. Ndërkaq, kryerësi i veprave është i moshës madhore. Bëhet fjalë për veprat penale “dhunimi”, “keqtrajtimi i fëmijëve” dhe “shkelje e integritetit personal”. Kemi pasur fletëarrest vendor dhe ndërkombëtar por i njëjti para dy ditësh është lajmëruar vet dhe me urdhër të prokurorit, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Siç merr vesh televizioni, viktima ishte një 13-vjeçare nga Komuna e Istogut.
Ndërsa për 18-vjeçarin, prokuroria veçse ka ndërmarrë hapat e tjerë procedural.
“Gjithashtu gjatë kësaj kohe është bërë edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit. Sot është mbajtur senaca e parë dëgjimore me ç’rast, prokurori e ka bërë këtë kërkesë duke treguar edhe arsyet se pse është e nevojshme të realizohet masa e paraburgimit. Ndërkaq viktimës i është dhënë tretmani i duhur”, ka theksuar Nikçi.
Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë bërë të ditur se provat për dy veprat e tjera penale kanë nisur të mblidhen dhe se hetimet do të vazhdojnë, deri në zbardhjen e plotë të rastit.