Të hënën e 22 gushtit, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy personave për dhunim.
Sipas njoftimit, personat me inicialet E.S., dhe T.J., nga data 23 qershor të këtij viti gjenden në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej 16-17 qershor 2022, në fshatin Nashec – Komuna e Prizrenit, të akuzuarit E.S., dhe T.J., së bashku detyrojnë viktimën M.E., për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj, me përdorim të forcës dhe shkaktimin e dehjes së të dëmtuarës, në atë mënyrë që me automjet e shoqërojnë në një restaurant dhe pastaj në shtëpizën e të akuzuarit T.J., në fshatin Nashec, e detyrojnë që të konsumojë pije alkoolike dhe substanca narkotike, duke e sjellë të dëmtuarën në situatë pa vetëdije, me ç’rast i akuzuari T.J., e godet me një mjet të fortë në kokë, ashtu që e dëmtuara M.E., e humb vetëdijen dhe të njëjtit kryejnë marrëdhënie seksuale me viktimën”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, të akuzuarit kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dhunimi” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë.