Dialogu, Kurti s’tregon nëse i është përgjigjur Francës dhe Gjermanisë

    Kryeministri Albin Kurti nuk ka treguar nëse i ka kthyer një përgjigje përfundimtare Gjermanisë dhe Francës në afatin që këto shtete kanë vënë rreth propozimit për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Kurti ka thënë se është i gatshëm të takohet me Vuçiqin për të diskutuar kornizën e marrëveshjes, por sipas tij, Beogradi është i interesuar të bisedojë vetëm për hapa të vegjël

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





    Rreth dy muaj më parë, përfaqësuesit e dy shteteve më të fuqishme të Bashkimin Evropian zbarkuan në Prishtinë.

    Këshilltarët e kancelarit të Gjermanisë dhe presidentit të Francës vlerësohet se me vete sollën edhe një propozim rreth marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Sqarimi më në detaje i këtij propozimi nga ekipi i Olaf Scholzit dhe Emmanuel Macronit, pritet të bëhet në disa takime të cilat i paralajmëroi së fundmi presidentja Vjosa Osmani.
    Ndërkaq nga Presidenca nuk ka dhënë më shumë detaje.

    Por lideri tjetër i shtetit, kryeministri Albin Kurti, i pyetur se kur mund të ndodhin këto takime, ka thënë se aktualisht janë duke u përgatitur për samitin e Procesit të Berlinit.

    “Ne jemi duke u përgatitur për takimin e 3 nëntorit i cili do të zhvillohet në Berlin për një rifuqizim të Procesit të Berlinit dhe ky është përkushtimi ynë kryesor”, ka thënë Albin Kurti.

    Megjithatë, kreu i Ekzekutivit ka shtuar se është çdo herë i gatshëm për të diskutuar kornizën e marrëveshjes me Serbinë.

    “Ndërkaq sa i përket takimeve për çështjen e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme, ai është një proces i ndarë dhe kurdo që konsiderojnë se duhet ne të ftohemi për ta zhvilluar një takim të tillë ne kemi shprehur kaherë gatishmërinë tonë. Është Beogradi ai që ka thënë se është i interesuar vetëm për hapa të vegjël dhe jo për kornizën e përgjithshme”, ka thënë Kurti.

    Kurtit, sipas zëvendësit të tij Besnik Bislimi, i është vendosur një afat për t’u kthyer përgjigje gjermanëve dhe francezëve për propozimin.

    Por, pavarësisht insistimit të RTV Dukagjinit, kryeministri ka refuzuar të përgjigjet nëse ai ua ka komunikuar atyre qëndrimin përfundimtar të Kosovës.

    Lidhur me këtë çështje, televizioni ka pyetur qeverinë gjermane, presidencën franceze dhe Bashkimin Evropian, por deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

    Vlen të theksohet se, Gjermania dhe Franca kanë intensifikuar përpjekjet për t’i afruar Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes përfundimtare.