Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa në cilësinë e ish-negociatorit të Kosovës për të zgjidhur çështjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë në negociatat e Vjenës, ka folur për Portalin Dukagjini ku ka thënë se nuk dihet ende se në çfarë rrjedhe do shkojë dialogu mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ai konsideron se të dyja palët nuk kanë qenë shumë të interesuara që të gjejnë zgjidhje në dialog.
Hysa ka thënë se “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket më shumë i interesuar të shantazhojë me implementimin e Asociacionit të komunave, ndërsa kryeministri Albin Kurti është më shumë i interesuar të shantazhojë me çështjen e reciprocitetit, sidomos që tani është bërë peng i kësaj politike e cila duhet të shohë përfundimin e saj më një shtator”.
Shantazhet sipas Hysës kanë filluar, kur Kurti kishte thënë se dialogu në qeverisjen e tij është prioriteti i katërt, por në ndërkohë, “me të bërat e tij ka arritur që tri herë të bëjë barrikada në veri dhe tani jemi ku jemi, me shtyrjen e politikës së reciprocitetit deri më një shtator”.
Por, diplomati kosovar këtë çështje e sheh si një interesim ndërkombëtar, ku ka thënë se ata mund të angazhohen “për shkak të ngjarjes dramatike në Ukrainë dhe duket se është e interesuar që të ketë sa më pak probleme të tjera në rajon, të cilat mund të keqpërdoreshin nga pala ruse”.
Sipas Hysës, ndërkombëtarët janë të interesuar që “të gjejnë një lloj zgjidhje, por këto solucione nuk duken të lehta, sidomos nëse çështjet janë ngritur si reciprociteti në njërën anë dhe asociacioni i komunave në anën tjetër. Zgjidhja e tyre nuk e di sa do të ishte e dobishme”, ka thënë Hysa.
Ai ka treguar nëse ndërmjetësuesit nuk arrijnë të bëjnë “zgjidhje të shpejta, atëherë mund të gjejmë një temë tjetër ku do të mund të pohohej një subjekt, ndoshta do të ishte çështja e të zhdukurve, por varet nga qasja”.
“Besoj që kjo mund të jetë njëra. Ndërmjetësi dëshiron të nxjerrë një sukses në mënyrë që të nxjerrë procesin e dialogut nga qorrsokaku dhe bllokimi, dhe kjo varet nga puna paraprake që është bërë nga diplomacia ndërkombëtare karshi Kosovës dhe Serbisë, ndaj së cilës do të duhej të tregoheshin më operativ”.
Nëse Kurti dhe Vuçiq nuk merren vesh për çështjen e reciprocitetit dhe letërnjoftimeve më 18 gusht, a mund të eskalojë situata në veri të vendit dhe në raportet edhe ashtu të brishta mes Kosovës dhe Serbisë?
“Nuk përjashtohet, ngase tashmë janë ngritur pritjet, edhe përveç që janë çështje të dialogut janë edhe politika të brendshme karshi elektoratit të cilit i premtohet diçka”, ka përfunduar Hysa.
Por, për të njëjtën çështje edhe ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka folur nga kendvështrimi i ish-negociatorit në procesin e Vjenës, ku ka thënë se takimi i 18 gushtit duhet t’i shërbejë dinamizmit te procesit dhe të përafrojë përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Çeku tutje ka treguar se nuk ka pritje të madhe se mund të ketë ndonjë marrëveshje, por vetëm do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt këtij qëllimi.
“Kosova duhet ta shfrytëzojë ketë momentum politik ndërkombëtar dhe me mbështetjen e SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë ta përmbyllë këtë temë dhe të ecë përpara në proceset integruese”, ka thënë Çeku.
Në “takimet e formatit të tillë nuk duhet të lejohet diskutimi i temave teknike dhe çështjeve që janë konsumuar në fazat e mëhershme të Dialogut. Dialogu nuk bën të kthehet prapa. Dialogu është në fazën finale të tij dhe gjithë diskutimi duhet të përqendrohet në përmbylljen e kësaj finaleje. Edhe çështja e Asociacionit duhet të mbyllet”.
Sipas ish-negociatorit Çeku, Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar për këtë çështje, ka edhe një vendim kushtetues për të. E rëndësishme sipas tij është që ai mekanizëm të jetë në përpurthje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe të mos cenojë funksionalitetin e shtetit.
A mund të ketë përshkallëzim të situatës nëse dështon Kurti dhe Vuçiq të pajtohen më 18 gusht?
Çeku për Portalin Dukagjini ka thënë se “Siguria dhe stabiliteti i Kosovës janë të garantuara edhe nga NATO-ja. Incidente siç ka pasur deri me tani mund të ketë, por nuk mund të flasim për përshkallëzim të situatës”.
Tutje, ai ka treguar se çfarë do të ulte tensionet në mes palëve.
“Arritja e një marrëveshje përfundimtare do ta shtensiononte atë pjesë të Kosovës dhe më së shumti do t’u ndihmonte qytetarëve serbë të Kosovës të cilët kanë mbetur peng i Beogradit dhe politikanëve të tyre”.
Këndvështrimi i Çekut për të zhdukurit e luftës në mes të Kosovës dhe Serbisë
Ai ka thënë se kjo çështja e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë është dashur të adresohet më herët në mënyrë që të zgjidhet problemi, sepse sipas tij, disa çështje janë më shumë humanitare sesa politike.
Tutje Çeku ka thënë se për të zgjidhur kësaj të fundit, presioni ndërkombëtar duhet të bjerë mbi Beogradin.
“Beogradi ka informacione të sakta për masakrat e tmerrshme që janë bërë në Kosovë. Ka informacione të sakta se çfarë ka ndodhur me të zhdukurit dhe ku gjenden varrezat masive. Dihet qartë se krimet në Kosovë janë kryer nga ushtria dhe policia serbe. Ka qenë krim i planifikuar dhe evidentuar”.
Në fund Çeku ka thënë se shpreson që të ketë përparim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila do t’ua lehtësonte vuajtjet mijëra familjeve në Kosovë, sepse edhe pas kaq vitesh nuk dinë për fatin e të afërmeve të tyre dhe nuk kanë një varr ku do të dërgonin një lule.