Dialogu që s’përparoi, Kosova dhe Serbia s’thyen status quon as më 2024

Asnjë progres madhor nuk kanë shënuar Kosova dhe Serbia gjatë vitit 2024 për zbatimin e marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Beogradi ka vazhduar të refuzojë zbatimin e pjesës kryesore të saj, kurse Prishtina insistimin për nënshkrim të marrëveshjes si garanci për zbatimin. Pa asnjë takim të nivelit të lartë, BE-ja përmbyll një tjetër vit pothuajse tërësisht të dështuar në dialog, marrë parasysh objektivat e caktuara.

Një tjetër vit i dekadës së dytë të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa asnjë progres të prekshëm dhe pa rezultatet e kërkuara.

Gjatë tërë 2024-tës, Bashkimi Evropian nuk arriti t’i ulë kështu përballë liderët e të dyja shteteve. Andaj, tërë barrën dhe nevojën për progres e bartën mbi supe kryenegociatorët.

Duke qenë se viti paraprak solli marrëveshjen bazike mes palëve dhe aneksin e zbatimit të saj, pashmangshëm e trysnia ndërkombëtare për implementimin e ujdisë u rrit.

Mirëpo rrugës gjërat morën rrjedhë tjetër. Që në janar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak udhëtoi në Beograd e pastaj në Prishtinë pas frikës për rikthim të tensioneve në veri të Kosovës shkaku i paralajmërimit për heqjen nga përdorimi të dinarit serb.

Diplomati sllovak erdhi në kryeqytetin kosovar për t’i kërkuar qeverisë të pezullohej plani i Bankës Qendrore të Kosovës për miratimin rregullores së re.

Ndër të tjera, u diskutua edhe rreth zbatimit të marrëveshjeve, por për asnjërën çështje nuk u pa përparim.

Rregullorja hyri në fuqi një ditë pas vizitës së Lajçakut, derisa BQK-ja ofroi një fazë tranzicioni prej tre muajsh për zbatimin e saj.

Mirëpo, Brukseli nuk ishte i kënaqur, dëshironte zgjidhje tjetër. Në këtë mënyrë në fund të shkurtit ftoi Kosovën dhe Serbinë të takohen në kryeqendrën evropiane.

Për atje nuk udhëtoi kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi pasi vlerësonte se valuta ishte çështje e brendshme e Kosovës dhe jo temë e dialogut. Madje, akuzoi Lajçakun se i shkeli parimet që i vendosi vet duke thënë se e caktoi takimin pa u dakorduar me të.

Atë ditë në takim mori pjesë guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili për të sqaruar përmbajtjen e rregullores.

Pasi Bislimi nuk i shkoi në takim, Lajçak erdhi vet në Prishtinë për herë të dytë brenda pak javësh. Bashkë të dy folën për dinarin, por edhe zbatimin e marrëveshjes bazike.

Pavarësisht refuzimit fillestar, ndër muaj Bislimi zhvilloi 6 takime në Bruksel me homologun nga Serbia, megjithëse pëlqente t’i cilësonte si diskutime për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë, e jo si diskutime për dinarin.

Sidoqoftë, Kosova insistonte që kjo të bëhej vetëm në valutën e euros.

Kjo çështje nisi t’i ndikonte negativisht marrëdhëniet e Kosovës me aleatin e saj më të ngushtë, SHBA-në.

Kështu, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, në kuadër të një turi vizitash në rajon, u ndal në Prishtinë.

Situatën e serbëve pas këtij vendimi ai e vlerësoi si humanitare, dhe kërkoi zgjidhje nga Kurti.

Me çështjen e dinarit u kalua gati gjysma e vitit.

Ndërkohë, duke parë që përpjekjet për progres në dialog po dështonin, BE-ja shtoi më tutje trysninë dhe i çoi në Bruksel liderët e të dyja shteteve pas 10 muajsh nga takimi i tyre i fundit dhe për herë të parë nga sulmi terrorist në Banjskë.

Megjithatë, një takim sy më sy nuk ndodhi. Kryeministri kosovar vendosi tri kushte për ta takuar presidentin serb.

“Marrëveshja Bazike, është nën sulm nga mosnënshkrimi, është nën sulm nga letra e Bërnabiq dhe është nën sulm nga liria e Radojqiq, i cili përndryshe në Serbi vazhdon ushtrimet, trajnimet për sulme të reja. Andaj, për të pasur normalizim të marrëdhënieve ne kemi thënë që këto tri garanci janë të domosdoshme”, kishte thënë Kurti.

Përpjekja e radhës për të arritur përparim u bë në korrik. Kryenegociatorët u takuan dhe i diskutuan mënyrat për zbatimin e marrëveshjes, por pa sukses.

Serbia, sipas Bislimit, konfirmoi sërish se refuzon diskutimet për këtë çështje pa u themeluar Asociacioni, kërkesë kjo e papranueshme për Kosovën.

Kështu, situata mbeti e njëjtë deri në mes të dhjetorit kur kryenegociatorët zhvilluan takimin e fundit në vitin 2024 dhe u dakorduan për të zhbllokuar zbatimin e marrëveshjes për çështjen e të zhdukurve gjatë luftës.

Pas tërheqjes së insistimit të Serbisë që Kosova të përfaqësohet nga UNMIK-u, palët u pajtuan për komisionin e përbashkët, i cili do të monitorojë zbatimin e marrëveshjes.

Vitin 2024, Kosova e mbyll nën masa ndëshkuese nga BE-ja dhe pa asnjë progres në aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Shija e redaktorit

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Të fundit nga rubrika