Diaspora si shpëtim

Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk mbahen as për kuvend, as për qeveri në ekzil, por për Kuvendin e Kosovës. Por, polikanët e kanë zhvendosur fushatën në diasporë, duke kërkuar atje shpëtim. Duke iu premtuar atje njerëzve se “sa të mirë” do ta bëjnë Kosovën. Kosovën, nga e cila ata janë larguar

Përfaqësues të partive politike, në mesin e tyre edhe kryeministri Albin Kurti, kanë shpeshtuar takimet me kosovarët që jetonë në diasporë, në përpjekje për t’i bindur që të votojnë për ta në zgjedhjet e 9 shkurtit. Bazuar në tubimet e mbajtura gjithandej Europës krijohet përshtypja se zgjedhjet nuk mbahen për Kuvendin e Kosovës, por për ndonjë kuvend ose qeveri në ekzil.

Partitë opozitare i janë kthyer diasporës pas fitores së bujshme të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2021, duke e përmirësuar gabimin që nuk ishin marrë seriozisht me mijëra votues jashtë vendit. Ndërkaq Kurti ka vazhduar aty ku e ka lënë para katër vjetësh, duke i lëvduar se sa të mirë janë, madje shumë më të mirë sesa pjesa tjetër e qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Kur i ke punëtorët e patriotët më të devotshëm në diasporë dhe i ke mendjen më të ndritura jashtë, pra edhe zemra edhe truri edhe muskuli, atëherë të lind pyetja kush është brenda kush është jashtë? Ndoshta na atje brenda jena më jashtë se ju, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne që jemi atje”, iu ka thënë Kurti atyre në një tubim.

Po të analizohen me vëmendje këta rreshta, atëherë kjo deklaratë e Kurtit është fyese për shumicën e qytetarëve. Sipas Kurtit, ata që jetojnë në Kosovë janë më pak patriot e më dembelë, përkatësisht nuk janë të mirë sa njerëzit që jetojnë në diasporë.

Vardisjen dhe lëvdatat për kosovarët në diasporë nuk i kanë kursyer as politikanët e partive opozitare, ndërkohë që pritet të përfshijnë në lista disa nga ta.

Tubimet e Kurti me diasporën nga opozita janë konsideruar si keqpërdorim, pasi që në organizimin e tyre janë përfshirë edhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vendet përkatëse. Ndërkaq, koalicioni “Demokracia në Veprim” ka ngritur shqetësime lidhur me procesin e votimit jashtë vendit. Sipas këtij koalicioni të organizatave joqeveritare, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka tentuar të ndërhyjë në proces duke kërkuar hapjen e qendrave të votimit në vende të tjera, “gjë që është e paligjshme, pasi KQZ-ja është institucioni i vetëm që ka autoritetin për të organizuar dhe administruar zgjedhjet”.

* * *

Interesimi për tubime në diasporë nga partitë politike nuk është i zakonshëm. Takimet me njerëzit atje ngjajnë në një situatë prehjeje për politikanët, të cilët duket se kanë më shumë t’iu thonë atyre jashtë, sesa të tjerëve brenda vendit.

Pushteti në Kosovë nuk ka shumë me çfarë të krenohet gjatë qeverisjes katërvjeçare. Premtime pompoze nuk janë realizuar, ndërkaq polarizimi në shoqëri po arrin kulmin. Në anën tjetër, partitë opozitare nuk kanë arritur ende të konsolidohen sa duhet përballë pushtetit. Kështu, politikanët e pushetit dhe opozitës më lehtë e kanë që t’i “shesin” premtime diasporës, sesa qytetarëve që jetojnë e punojnë në Kosovë.

Shumica e kosovarëve në Perëndim kanë punë që iu paguhet mirë dhe bëjnë jetë të mirë. Qytetarët në Kosovë mbeten njerëzit me standardin më të ulët në Europë. Por, kjo nuk i pengon politikanët që diasporës t’i tregojnë sa të mirë do ta bëjnë Kosovën. Po të ishte e mirë çfarë premtohet, ata nuk do ta kishin braktisur atë.

Askush nuk thotë se diaspora nuk duhet të marrë pjesë në proceset politike në Kosovë. Kosovarët që jetojnë jashtë gjithsesi duhet të kenë hisen e vet të përfaqësimit në institucionet kosovare. Por, mënyra se si veprohet nga politika s’është e drejtë.

Beteja partiake dhe politike duhet të bëhet në Kosovë, rreth sfidave dhe problemeve me të cilat qytetarët ballafaqohen çdo ditë. Beteja partiake dhe politike duhet të fokusohet në mirëqenien e qytetarëve në Kosovë. Është shumë e lehtë ta lëvdosh diasporën dhe të kërkosh shpëtim jashtë vendit. Por, nuk është e lehtë që qytetarëve në Kosovë t’u ofrosh jetë të dinjitetshme, kushte për punë e garanci për të ardhmen, në mënyrë që ata të mos bëhen diasporë. Diasporë e etur për fjalë të bukura e premtime të kota.

Të fundit nga rubrika