Janë djegur kamionët në njërën nga barrikadat e vendosura në veri të Kosovës.
Siç raporton ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini që gjendet në vendin e ngjarjes, kamionët e djegur janë në barrikadën te “Kërshi i Dudës”, e vendosur nga serbët lokalë më 27 dhjetor, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarit, Komuna e Zveçanit.
Portali Dukagjini ka kontaktuar Policinë e Kosovës për më shumë detaje mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Në vendin e ngjarjes tani kanë arritur edhe dy patrulla të EULEX-it.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, ka thënë ai, raporton REL.
Ai tha paraprakisht se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.
Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Ndryshe, arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.