Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë djegur katër vetura në orët e hershme të së enjtes në një parking te rruga “B” në Prishtinë.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka bërë të ditur se dy nga automjetet janë djegur tërësisht, ndërsa dy të tjerat, të cilat kanë qenë të parkuara në afërsi, janë dëmtuar pjesërisht.
Policia ka njoftuar se menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit, të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.
“Sot rreth orës 03:00, është raportuar se në një parking në rrugën “B” në Prishtinë, katër automjete janë përfshirë nga zjarri. Dy nga automjetet janë djegur tërësisht, ndërsa dy të tjerat, të cilat kanë qenë të parkuara në afërsi janë dëmtuar pjesërisht. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar”, ka bërë të ditur Ahmeti.
Aktualisht, policia ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si “zjarrvënie”.