Një pikë statike (kontejnerë) e Policisë së Kosovës është djegur mëngjesin e së enjtes te tre rrokaqiejt në veri të Mitrovicës.
Lajmin për Portalin Dukagjini e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.
“Po, rreth orës 03:00 të mëngjesit është djegur pika statike e Policisë së Kosovës”, ka thënë Elshani.
Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor.