Të mërkurën e dy nëntorit, një veturë e tipi Hyndai me targa RKS, është djegur në Zubin Potok.
Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ku thuhet se vetura është e një personi të komunitetit serb.
“Policia e Kosovës, më 02 nëntor, në orën 03.34 (pas mesnate) përmes linjës telefonike ka pranuar një informacion për djegien, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, pronë e viktimës mashkull kosovar i komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të policisë, thuhet se njësitë relevante policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të marrë veprimet e nevojshme.
“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes”, vijon njoftimi.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS”.
Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila do të kujdeset në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të kryesve të këtyre veprave kriminale.
Hiç më larg se në mesnatën e 26 tetorit, një automjet i tipit Volswagen Bora është djegur në Leposaviq. Pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.
Ngjarja thuhet se është ndërlidhur me regjistrimin e automjetit në targa RKS, dhe se i njëjti automjet është djegur me qëllim nga autorë të panjohur.
Por, ky nuk është rasti i vetëm.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 19 shtator kishte njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale. Të njëjtat i kanë djegur veturën, pasi oficeri në fjalë e kishte regjistruar me targa legale të Republikës së Kosovës.
Pak ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është kërkuar që të shtyhet vendimi për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.
Edhe Bashkimi Evropian ka insistuar kërkesën që Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.
Por, deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se që nga një nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka folur për çështjen e targave, ka thënë se veprimet e strukturave kriminale serbe të cilët po dëmtojnë materialisht qytetarët serbë të Kosovës që po i konvertojnë targat nga ato ilegale në ato RKS, dëshmojnë kërcënimet e vazhdueshme të tyre.
Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, presidentja Osmani ka theksuar se lufta që Kosova po përballet është ajo kundër bandave.
Lidhur me këtë, Osmani ka kërkuar përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.
“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë të cilët po e respektojnë ligjin dhe po i konvertojnë targat në ato që njihen me ligj dhe po i largojnë ato të kohës së Millosheviqit, si rezultat i kësaj po u djegin shtëpitë po i djegin makinat, rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Gjithë këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale që janë në listën e zezë të SHBA-së dëshmojnë që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, ka thënë Osmani.
“Lufta jonë është luftë kundër bandave, në luftën tonë kundër bandave, në luftën për sundim të ligjit presim që të kemi përkrahjen e vazhdueshme të aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, shtoi ajo.
Sipas saj, Kosova është rikonfirmuar si shteti me reformat më të mëdha në gjithë Evropën në fushën e sundimit të ligjit dhe reformuesi i dytë në botë, gjë për të cilën Osmani ka thënë se kjo dëshmon që veprimet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë të drejta.
Ndërkohë, lidhur me targat, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte caktuar takim me përfaqësuesit e Listës Serbe, më 27 tetor.
Ky takim ishte thirrur pasi Lista Serbe kishte kërkuar urgjentisht të takohet me presidentin serb për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë.
Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar bllokim të rrugëve në veri të Kosovës, nëse merret ndonjë veprim me konfiskimin e veturave me targa serbe.
“Nëse Prishtina përdor dhunë, ne do të bllokojmë të gjitha rrugët”, ka thënë Rakiq.
Edhe pse targat serbe në Kosovë konsiderohen si të paligjshme, deri më tani janë toleruar në Veri të Kosovës.
Më 31 korrik dhe një gusht, serbët lokalë në Veri të Kosovës kishin vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për zbatimin e vendimit.
Pos vendimit për targat, kërkohej edhe zbatimi për dokumentet serbe.
Me kërkesë të ndërkombëtarëve, vendimi për zbatimin e tyre ishte shtyrë për një shtator.
Ndërkohë, ishte arritur marrëveshja për dokumentet hyrëse-dalëse.