Digjitalizimi i bibliotekave, nevojë e domosdoshme për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar

Edhe pse ka dy vjet që ka filluar me procesin e digjitalizimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ende nuk ka një platformë në të cilën përdoruesit mbi qasjen e caktuar do të mund t’i qaseshin Arkivit Digjital. Projektet për digjitalizim të kësaj biblioteke janë rezultat i një ekspertize ndërkombëtare, bazuar mbi nevojat dhe gjendjen ekzistuese në institucionet bibliotekare

Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës “Pjetër Bogdani"

Në vitin 2019, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani” ka filluar zyrtarisht me procesin e digjitalizimit të bibliotekës.

Që nga atëherë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, është duke punuar në disa drejtime në aspektin e digjitalizimit, aktualisht në atë të shërbimeve dhe digjitalizimin e koleksioneve.

Qëllimi i themelimit të kësaj biblioteke është digjitalizimi i fondit bibliotekar dhe vënia e tij në shërbim të përdoruesve.

Aktualisht, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ende nuk ka një platformë në të cilën përdoruesit mbi qasjen e caktuar do të mund t’i qaseshin Arkivit Digjital.

Varësisht nga kërkesat që vijnë nga institucionet shkencore e kulturore, biblioteka ua mundëson shërbimin e përdorimit të njësive digjitale duke e marrë kohën e nevojshme derisa të digjitalizohen njësitë e kërkuara.

Liridon Zekaj, udhëheqës i projektit për digjitalizimin e Bibliotekës Kombëtare, për portali Dukagjini ka thënë se në të dy drejtimet është bërë progres, ndonëse mbetet shumë punë për t’u bërë.

Pamje brenda Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”

Ai ka thënë se projekti “Krijimi i rrjetit Bibliotekar në Kosovë”, i cili është në fazën e specifikimit për implementim, synon të ndërtojë një rrjet të përbërë nga 38 biblioteka publike, 7 biblioteka akademike dhe 2 biblioteka speciale, nën udhëheqjen e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se 48 biblioteka do të ndajnë një sistem bibliotekar dhe një katalog, përkatësisht Katalogun e Përbashkët të Kosovës, duke vazhduar tutje me shtrirjen edhe në bibliotekat e shkollave.

“Në objektivat e saj për digjitalizimin e shërbimeve, Biblioteka Kombëtare e Kosovës gjatë vitit 2020 ka lansuar Sistemin elektronik bkk-e-shërbime”, ka thënë Zekaj duke shtuar se tashmë shërbime të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kryhen në formë elektronike për rezervimin e materialit bibliotekar dhe rezervimin e numrit për lexim, natyrisht pas një procesi të regjistrimit dhe të autentifikimit.

Ndërsa, sa i përket digjitalizimit të koleksioneve, Zekaj ka bërë të ditur se vite më parë  është hapur Biblioteka Digjitale në kuadër të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe deri më tani arkivi digjital është pasuruar me dhjetëra-mijëra objekte digjitale sipas standardeve ndërkombëtare.

Foto ilustrim e digjitalizimit të librave në bibliotekë

Për Zekajn, procesi i digjitalizimit të njësive fizike të koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës po bëhet sipas një politike për digjitalizimin e koleksioneve të bazuara në kërkesat e përdoruesve, tregues që është marrë nga Sektori për Përdorues dhe nga Departamenti i Koleksioneve të Veçanta, duke respektuar të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

“Natyrisht, duke e pasur parasysh numrin e madh të koleksioneve fizike në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ky proces është i gjatë dhe ndikohet varësisht nga kapacitetet tekniko-teknologjike si dhe nga kapacitetet humane të angazhuara”.

Sa i përket gjithëpërfshirjes së kësaj metode, ai ka thënë se përfshirja e bibliotekave të Kosovës, në cilindo rast, në Platformë të Shërbimeve Bibliotekare (LSP) do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave, ndërtimin e katalogut të përbashkët dhe hapësirën për qasje digjitale, ku qytetarët, studiuesit, shkollarët e Kosovës dhe më gjerë do të njiheshin me libra periodikë dhe materiale të tjera.

“Përmes katalogut, do t’i shfletonin këto materiale përmes platformës për Bibliotekën digjitale, që do të avanconin njohuritë e tyre në sistemet e zhvilluara bibliotekare, aftësim në përdorimin e teknologjisë e të formateve të reja dhe të njohjes me praktika rajonale dhe botërore në fushën e bibliotekarisë”.

Poashtu, ai ka bërë të ditur se të gjitha projektet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e sidomos projektet për digjitalizim, janë rezultat i një ekspertize ndërkombëtare bazuar mbi nevojat dhe gjendjen ekzistuese në institucionet bibliotekare.

Biblioteka e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës

Ai ka thënë se digjitalizimi i shërbimeve, e, po ashtu, edhe digjitalizimi i koleksioneve, do të jetë i centralizuar në të ardhmen, në kuptimin që të gjitha shërbimet të ofrohen dhe qasja në objekte digjitale të jenë nga një platformë e cila do të inkuadrohet edhe në platformën shtetërore eKosova.

Sa i përket financimit të këtij projekti, ai ka thënë se të gjitha projektet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës financohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në raste të caktuara me bashkëfinancim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Përveç problemeve të studentëve për mungesën e literaturave në gjuhën shqipe, procesi i digjitalizimit të bibliotekave paraqet një kufizueshmëri në kushtet e ofruara për ta.

Lidhur me digjitalizimin e bibliotekave, për portalin Dukagjini ka folur edhe eksperti i fushës së arsimit dhe njëherësh drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja.

Drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja

Ai ka thënë se literatura digjitale është më e pakta që mund t’u ofrohet të rinjve.

“Investimi institucional duhet të jetë në sigurim të qasjes në literaturë digjitale, kjo është më e pakta dhe nuk kufizon literaturën në ato ekzemplarë të përkthyer, por hap mundësi për të rinjtë që të eksplorojnë literaturë të përditësuar ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Së fundmi, qyteti i Obiliqit ka promovuar bibliotekën e re të qytetit.

Biblioteka e qytetit në komunën e Obiliqit

Megjithëse me një infrastrukturë moderne dhe e pajisur me tituj të librave, digjitalizimi i kësaj bibloteke nuk ka qenë prezent me hapjen e saj, mirëpo një gjë e tillë mbetet për t’u realizuar.

Arba Mirena, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Obiliq për portalin Dukagjini ka thënë se në aspektin e teknologjisë, biblioteka e qytetit është e pajisur me kompjuterë të teknologjisë së fundit duke u ofruar qasje online për studime apo kërkime të informacioneve.

Pamje të bibliotekës në Obiliq

Ndërsa sa i përket digjitalizimit, ajo ka thënë se është projekt i planifikuar në hapat e ardhshëm, me të cilin do të lehtësohet edhe puna në bibliotekë.

Me hapjen e bibliotekës digjitale do të ruhej edhe trashëgimia e shkruar shqiptare, pasi është një sfidë e cila do ndihmë nga institucionet përkatëse.

Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi për vizitë në bibliotekën e qytetit në Obiliq

Për të përmbushur kërkesat e lexuesve, digjitalizimi i shumë ekzemplarëve të librave, në të cilët nuk ka akses, do të ishte një arritje kolosale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika