Në Mitrovicën Veriore mund të paguash me dinar pa asnjë problem, përkundër se ka përfunduar afati i rregullores së BQK-së që vetëm euron e lejon për qarkullim.
Kjo vërtetohet lehtë në secilin lokal në qendër të qytetit, blerja e produkteve bëhet edhe me euro edhe me dinar.
- Gazetari: Përshëndetje, si jeni!
- Shitësi: Përshëndetje, mirë ju faleminderit!
- Gazetari: Sa kushton?
- Shitësi: Në euro apo dinar?
- Gazetari: A bënë të paguajë me euro, apo vetëm me dinar?
- Shitësi: Edhe me euro, edhe me dinar, si të duash?
- Gazetari: Unë kam dinar në rregull, sa kushton?
- Shitësi: 80 dinarë
Për vendimin e BQK-së, janë të njoftuar qytetarët, por tash për tash thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.
“…Jam në dijeni për vendimin (nga BQK-ja), por ne pagat, të ardhurat sociale, pensionet, të gjitha na vijnë nga Serbia në dinarë dhe ne nuk shohim ndonjë zgjidhje si do të vazhdojmë dhe të paguajmë me euro, sepse vërtetë jemi në një pozitë të pa lakmueshme. Më së vështiri është për qytetarët”, thotë një qytetare, Biljana Denoviq.
Denoviq nuk e ka marr sot pensionin sepse përndryshe do të informohej me ndryshimet e reja.
Për pensione e paga të hënën ishte radhë e gjatë në zyret e Bankës së Kursimeve Postare në Mitrovicën Veriore.
“Disa qytetarë që po prisnin për t’i marë pagat, prapa kamerës na thanë se që nga sot paga po shpërndahen në euro. Sipas tyre në të kaluarën maksimumi brenda ditës ka qenë 100 euro, ndërsa nga sot maksimumi është rritur në 400 euro vlerë.”
Për këto ndryshime është i njoftuar edhe gazetari serb, Branislav Kërstiq.
“Deri në orën 11 qytetarët e kanë pasur mundësinë me bo transaksione me dinar edhe nëpër postat në veri të vendit. Por më duket pas disa telefonatave ata e kanë ndërprerë atë. Postat tash për tash janë funksionit por ‘Poshtanska stedijonica” që është diçka tjetër, një kompani tjetër, ajo është duke punuar vetëm me euro”, ka deklaruar Branislav Kërstiq, gazetar.
Ky ndryshim sipas Kërstiqit nënkupton se palët janë afër një marrëveshje, por që përmbajtjen e saj do ta kuptojmë ditëve në vazhdim.
Banka Qendrore, institucioni që vazhdimisht ka insistuar se është i pavarur dhe e ka përgjegjësinë për këtë rregullore nuk po jep përgjigje.
Përkundër interesimit të RTV Dukagjini, BQK nuk ka treguar se a kanë nisur ndërmarrjen e masave në terren pas përfundimit të afatit.
Banka Qendrore e Kosovës
- “Disa nga efektet e Planit për Zbatim të Lehtësuar të zbatuar gjatë periudhës tre (3) mujore, i cili kontribuoi në rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare, gjithëpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha, janë paraqitur në vijim:
- Janë licencuar tetë ( 8 ) degë/zyra të institucioneve financiare;
- – Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq
- – Një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jo-jetë) në Leposaviq
- – Gjashtë (6) zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare:
- – Një (1) në Leposaviq
- – Një (1) në Zveçan
- – Dy (2) në Graçanicë
- – Një (1) në Shtërpcë
- – Një (1) në Shillovë, Gjilan
- Janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar;
- Janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); dhe
- Janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.”
Ndërkohë përmes një komunikate të gjatë përpos që e kanë pranuar se periudha transitore tashmë është përmbyllur, BQK ka treguar se në tre muajt e kaluar janë licencuar tetë degë apo zyre të institucioneve bankare në komunat veriore dhe jugore të banuara me shumicë nga serbët.
BQK përmend edhe licencimin e katër bankave për import dhe eksport të parasë së gatshme, por që nuk dihet nëse ndërlidhet me çështjen e dinarit.
Ndërkohë portali serb “Kossev.info”, ka raportuar se tregtarët dhe restorantet në komunën e Graçanicës kanë pezulluar transaksionet e pagesave në dinarë. Sipas këtij medium qytetarët me të cilët kanë biseduar gazetarët kanë thënë se ndalimi i dinarit “nuk është problem” sepse shumica e vendasve i mbledhin rrogat dhe pensionet i konvertojnë në euro.