Disa klinika në QKUK me ushtrues detyre, Haxhiu thotë se “është formë për t’i kontrolluar”

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga pushteti dhe opozita, e vlerësojnë problematike mungesën e përzgjedhjes së drejtorëve, derisa fajin kryesor ia lënë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bordit të ShSKUK-së

QKUK

Për më shumë se gjashtë muaj, disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të jenë me ushtrues detyre. Ndërsa në disa klinika ku janë emëruar drejtorë, ka probleme me ligjin ose akuza për emërime politike.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga pushteti dhe opozita, e vlerësojnë problematike mungesën e përzgjedhjes së drejtorëve, derisa fajin kryesor ia lënë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bordit të ShSKUK-së, shkruan EO.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, mosemërimin e drejtorëve e sheh si mundësi për t’i kontrolluar dhe shantazhuar ata.

Sipas tij, fajin kryesor e kanë Bordi i ShSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Është papërgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Bordit të ShSKUK-së që tani e më shumë se 6 muaj ka shumë pozita udhëheqëse, të cilat janë me ushtrues detyre. Kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar dhe për t’i shantazhuar ushtruesit e detyrës, për t’i pasur impakt edhe Bordi i ShSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë te këta udhëheqës në sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se prioritet i Qeverisë për sektorin e shëndetësisë është bërë më shumë si biznes. Ai konsideron se ka pasur edhe emërime me baza partiake.

“Sigurisht zbatimi i ligjit, sepse duhej të shpallej konkurs dhe të zgjidheshin sipas konkursit, sipas ligjit për shëndetësi apo sipas statutit të ShSKUK-së dhe te shumica e këtyre rasteve kemi pasur emërime politike ose zgjedhje politike, joprofesionale dhe të bazuara në aspektin profesional”, tha Haxhiu.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka thënë se shkaku që klinikat janë me ushtrues detyre është për fajin e disa anëtarëve të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK).

“Ne fatkeqësisht e kemi edhe drejtorin e ShSKUK-së me pozitë të tillë. U bë siç u bë puna dhe po shpresoj që së shpejti do ta kemi edhe drejtorin e përzgjedhur përmes konkursit. Mirëpo vlerësoj se pavarësisht sa është numri i atyre drejtorëve të cilët nuk e kanë të mirëqenë nga aspekti administrativ pozitën e tyre si drejtor, mendoj se nuk mund ta kenë suksesin e duhur dhe të pritshëm një ushtrues detyre sikurse një drejtor i zgjedhur”, u shpreh Meta.

Ai ka përmendur edhe largimin nga pozita e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, dy javë pasi ishte emëruar në këtë pozitë.

“Po ne kemi rastin e një drejtor i sapozgjedhur pas një apo dy jave kërkon të lirohet nga detyra. Kjo nuk është humane, nuk mendoj që është punë e mirë. Nuk dua të besoj që mundet të ketë presione në punë, nuk dua të besoj se mund të ketë ndonjë shantazh apo sabotim të drejtorëve në punë, e sidomos te mantelbardhët të cilët nuk mund ta përballojnë një gjë të tillë. Nuk dua të flas me emra, por unë mendoj se disa anëtarë të cilët janë pjesë e Bordit, nuk e kanë vendin në Bord”, thotë ai.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se krahas klinikave që janë me ushtrues detyre, mungojnë edhe shërbimet esenciale.

“Po fillimisht kjo është padrejtësi ndaj palëve që shkojnë në këto shërbime, sepse tanimë e dimë që shërbimet esenciale mungojnë në spitalet tona dhe në QKMF tona, dhe është e padrejtë që do të mbeten me ushtrues detyra pozita menaxheriale dhe pozita të rëndësishme, të cilat i ndihmojnë dhe i shërbejnë qytetarët tanë”, u shpreh ajo.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika