Disa qytete ukrainase sulmohen rëndë nga Rusia

Rusët vazhduan me ofensivën e tyre në rajonin lindor të Donetskut, ku disa qytete dhe qyteza u bombarduan rëndë

Punonjësit e urgjencës pastrojnë rrënojat pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë shumëkatëshe duke lënë shumë njerëz nën rrënoja në qytetin juglindor të Dnipro, Ukrainë, më 14 janar 2023, AP.

Forcat ruse goditën disa qytete në Ukrainën lindore me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës ka thënë se disa qytete dhe qyteza në rajonin e Donjeckut u bombarduan rëndë.

Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme, tha Shtabi, derisa ushtria ruse ka vazhduar përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e Bakhmutit.

Një komandant i lartë ukrainas ka akuzuar Moskën se përdor taktikat e “tokës së djegur”.

“Armiku kaloi në të ashtuquajturat taktika të tokës së djegur, që datojnë nga lufta e Sirisë. Ai po shkatërron ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie”, ka thënë gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, duke folur për Bakhmutin.

Po ashtu, ai ka thënë se Moska po dërgon forca speciale dhe njësi ajrore për të ndihmuar ofensivën në këtë qytet, pasi anëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët kanë udhëhequr sulmin atje, janë të lodhur.

Beteja për qytetin e vogël dhe tani gati krejtësisht të rrënuar të Bakhmutit ka qenë më e përgjakshmja prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.

Të dyja palët kanë pësuar numër të madh viktimash nga luftimet në Bakhmut, ndërsa Syrskyi tha se “situata është e vështirë, por e kontrollueshme”.

Kreu i pjesës së Donjeckut që kontrollohet nga Moska, Denis Pushilin, ka thënë se forcat ruse tani mbajnë 75% të qytetit, por ka shtuar se është herët për të folur për rënien e Bakhmutit, raporton REL.

Kontrolli i Bahmutit do t’i mundësonte Rusisë t’i sulmonte direkt linjat mbrojtëse të Ukrainës në Çasiv Jar dhe t’u hapte rrugë forcave të saj për të avancuar në dy qytete më të mëdha në rajonin e Donjeckut – Kramatorsk dhe Slloviansk.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se trupat e tij mund të tërhiqen nëse rrezikojnë të rrethohen.

Ushtria ukrainase tha se rusët, në 24 orët e fundit, sulmuan rëndë edhe qytetin Avdivka.

“Rusët e kanë kthyer Avdivkën në një gërmadhë totale”, ka thënë Pavlo Kyrylenko, guvernator rajonal i Donjeckut, teksa përshkroi një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe.

“Në total, rreth 1.800 njerëz mbeten në Avdivka dhe ata rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre”, ka thënë ai.

Në Çasiv Jar, qytetin e parë të madh në perëndim të Bahmutit, pak ndërtesa mbeten të paprekura, po ashtu.

Derisa betejat vazhdojnë, transmetuesi amerikan CNN tha se Ukraina është detyruar t’i ndryshojë disa plane ushtarake, për shkak të rrjedhjes së dhjetëra dokumenteve sekrete në SHBA.

Dokumentet duket se përfshijnë, mes të tjerash, informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se po përpiqen të gjurmojnë burimin e rrjedhjes së tyre.

Disa ekspertë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë në SHBA kanë thënë se dyshojnë se zbuluesi mund të jetë amerikan, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së aktorëve prorusë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka pranuar ta komentojë rrjedhjen e informacioneve, por ka thënë se “ekziston një tendencë për ta fajësuar gjithmonë Rusinë për gjithçka”.

“Në përgjithësi, kjo është një sëmundje”, ka thënë Peskov.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika