Një operacion i madh policor është duke u zhvilluar në qytetin gjerman, Dusburg, meqë disa persona janë plagosur si pasojë e një sulmi me thikë në një qendër fitnesi.
Policia ka thënë se situata ende është e paqartë.
Një zëdhënës policor e ka konfirmuar se operacioni është duke u kryer nga policia e qytetit të afërt, Esen, dhe qytetarëve u është bërë thirrje që ta shmangin zonën e sulmit.
“Ne jemi në skenën e sulmit me përforcime”, ka thënë Policia e qytetit Esen në Twitter.
Transmetuesi publik WDR ka raportuar se dy autorët e sulmit i kanë therur me thikë vizitorët në një qendër fitnesi.
Sipas informacioneve të gazetave gjermane, i dyshuari apo të dyshuarit, ende janë në arrati.
Autoritetet nuk kanë dhënë shifrën e saktë të të plagosurve dhe arsyeja e sulmit, po ashtu, nuk dihet ende. REL