Në përpjekje për të parandaluar dhe menaxhuar rastet e zjarreve gjatë sezonit veror, Policia e Kosovës organizoi një takim me përfaqësues të institucioneve kyçe.
Nën drejtimin e nënkolonelit Arbnesh Ajvazi, drejtor i Departamentit për Siguri Publike, u diskutuan masa konkrete për të reaguar ndaj rrezikut të rritur të zjarreve.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky koordinim, sipas njoftimit, synon mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe ambientit nga zjarret, të cilat janë një kërcënim serioz gjatë temperaturave të larta të verës.
Policia e Kosovës ka theksuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të zjarreve dhe bashkëpunimit me autoritetet.
“Zjarrvëniet e qëllimta dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepra penale dhe sanksionohen me ligj”, ka thënë nënkoloneli Ajvazi.
Për më tepër, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë paralajmëruan se pronarët e tokave që djegin sipërfaqet e tyre do të përballen me sanksione, përfshirë përjashtimin nga programet e subvencionimit.
Autoritetet apelojnë te qytetarët, veçanërisht ata që kanë në përdorim sipërfaqe tokësore, të shmangin çdo formë të zjarrvënieve.
Çdo rast zjarri duhet të raportohet menjëherë në numrat emergjent pa pagesë: AME (112), Policia (192), dhe Zjarrfikësit (193).