Rusia vazhdoi të sulmojë infrastrukturën kryesore në Ukrainë me sulme raketore të martën. Mes paralajmërimeve nga OKB-ja dhe disa vende të NATO-s se Moska mund të jetë duke kryer një krim lufte me sulmin e saj vdekjeprurës të vazhdueshëm ndaj objektivave civile, ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi se trupat e saj vazhduan të kryejnë sulme ajrore me rreze të gjatë në infrastrukturën energjetike dhe ushtarake të Ukrainës.
Udhëheqësit e G7 dënuan sulmet më të fundit raketore të Rusisë ndaj qyteteve në të gjithë Ukrainën dhe u zotuan të qëndrojnë “të vendosur” me Kievin “për aq kohë sa duhet”, njofton The Guardian.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u kërkoi udhëheqësve të G7 të furnizojnë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe një mision ndërkombëtar monitorimi në kufirin me Bjellorusinë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i përshkroi sulmet e Rusisë si “një ndryshim të thellë në natyrën e kësaj lufte.” Gjatë sulmeve të Rusisë në ditët e fundit, raketa lundrimi dhe dronë të armatosur ranë në parqe, kënde lojërash , termocentrale dhe objektiva të tjerë civilë.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është një “aktor racional që ka llogaritur gabimisht”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një video të një interviste për CNN të transmetuar të martën.
Autoritetet ukrainase thanë të martën se zhvarrosën trupat e dhjetëra njerëzve, duke përfshirë civilë dhe një foshnje njëvjeçare, për të përcaktuar shkakun e vdekjes pas tërheqjes së trupave ruse nga Lyman dhe Sviatohirsk, dy qytete të çliruara së fundmi në rajonin lindor të Donetsk.
Rreth 30% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është goditur nga Rusia që nga e hëna, thanë zyrtarët . Ndërsa miliona në Ukrainë po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të sulmeve, qeveria u ka kërkuar civilëve të zvogëlojnë përdorimin e energjisë elektrike dhe të mos përdorin pajisje shtëpiake si furrat dhe rrobalarëset.
Kremlini ka konfirmuar se Putin do të takohet të enjten me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të diskutuar rreth Ukrainës.
Moska nuk do të refuzojë një takim midis Putinit dhe Bidenit në takimin e G20 muajin e ardhshëm , tha ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov. Moska ishte e hapur për bisedime me perëndimin për luftën në Ukrainë, por ende nuk kishte marrë ndonjë “ofertë serioze” për të negociuar, tha Lavrov në një intervistë për televizionin shtetëror rus.
Putin i ka thënë kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se ai është “i hapur për dialog” për termocentralin bërthamor Zaporizhzhia të pushtuar nga Rusia .
Ndërkohë nënkryetari i termocentralit Zaporizhzhia është rrëmbyer nga forcat ruse, tha kompania shtetërore e energjisë bërthamore e Ukrainës Energoatom. Valeriy Martynyuk u mor të hënën dhe po mbahet në një vend të panjohur, tha Energoatom në një postim në Telegram.
Elon Musk mohoi një raport se ai foli me Putinin përpara se të postonte në Twitter një propozim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ai e shihte Ukrainën si një territor që do t’i dorëzohej përgjithmonë Rusisë.