Dita Botërore e Refugjatëve shënohet për të krijuar ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e vështirë të refugjatëve dhe për të njohur qëndrueshmërinë e tyre në rindërtimin e jetës së tyre. Kjo ditë shënohet më 20 qershor dhe feston forcën dhe guximin e njerëzve që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për t’i shpëtuar konfliktit ose persekutimit.
Kjo ditë u mbajt për herë të parë globalisht më 20 qershor 2001, duke përkujtuar 50- vjetorin e Konventës së vitit 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve. Fillimisht, njihej si Dita e Refugjatëve të Afrikës, përpara se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ta caktonte zyrtarisht atë si një ditë ndërkombëtare në dhjetor të vitit 2000.
Dita Botërore e Refugjatëve ndriçon të drejtat, nevojat dhe ëndrrat e refugjatëve, duke ndihmuar në mobilizimin e vullnetit politik dhe burimeve në mënyrë që refugjatët, jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të lulëzojnë.
Është e rëndësishme të mbrohet dhe të përmirësohet jeta e refugjatëve çdo ditë, e ditët ndërkombëtare, si Dita Botërore e Refugjatëve, ndihmojnë për të përqendruar vëmendjen globale në gjendjen e vështirë të atyre që ikin nga konflikti ose persekutimi. Shumë aktivitete të mbajtura në Ditën Botërore të Refugjatëve krijojnë mundësi për të mbështetur refugjatët.
Mbi 1 milion shqiptarë nga Kosova, para më shumë se njëzetë vjet u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës së tmerrshme dhe krimeve të kryera nga Serbia. Ata kryesisht shkuan në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, Turqi, por edhe në vende të tjera.
Ndërsa, në këto momente në Ukrainë janë ukrainasit ata që po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, dhe nga vendi i tyre, për shkak të pushtimit të pajustifikuar rus që po bën në shtetin e tyre.
Në maj të vitit 2022, bota arriti një moment historik të mprehtë: numri i njerëzve të zhvendosur me forcë globalisht tejkaloi 100 milionë, ose më shumë se 1 për qind e popullsisë së botës dhe e barabartë me vendin e 14-të më të populluar në planet, sipas Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara.