Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me rastin e përvjetorit të 24-të të çlirimit të Kosovës ka nderuar dhe kujtuar sakrificën e gjeneratave që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Sot, në përvjetorin e 24-të, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën e gjeneratave që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Më 12 qershor të vitit 1999, Kosova përfundimisht u çlirua nga okupatori dhe sunduesi serb. Pas më shumë së një shekulli nga thundra e sundimit sllav tashmë Kosova po shijonte ditët e para të paqes dhe të lirisë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
LDK-ja ka shprehur falënderim e mirënjohje për partnerët e miqtë ndërkombëtar ShBA-të, BE-në, NATO-në dhe të gjitha shtetet e tjera evropiane demokratike që ndihmuan në arritjen e lirisë së vendit.
Tutje në komunikatë thuhet se kapitullimi i regjimit kriminal të Millosheviqit erdhi si rezultat i një rezistence paqësore të prirë nga presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultoi edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe.
“Regjimi famëkeq serb kishte vrarë mijëra civil të pafajshëm, kishe deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s të gjitha këtyre ju erdhi fundi”, thuhet tutje.
Këtë të hënë janë bërë 24 vjet prej kur në Kosovë ishin vendosur 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore të Serbisë.