Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vizituar të hënën kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë me rastin e “Ditës së e Forcës”.
Në kazermën e FSK-së, së bashku me krerët e shtetit është edhe gruaja e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, Shukrija.
Përveç udhëheqësve më të lartë shtetërorë, në kazermën e FSK-së janë duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.
Ata janë duke vizituar ekspozitën e armëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët mirëpriten në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin.
Tashmë kanë filluar vizitat e qindra qytetarëve dhe nxënësve të shkollave fillore në kazermën “Adem Jashari”.
Në kazerma janë duke u ekspozuar pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, do të mbahet koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës.