Në hapjen e ekspozitës për Ditën e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që t’i trajtojnë të gjitha rastet me prioritet.
Osmani derisa ka theksuar se do të jetë zëri i viktimave, ka thënë se heshtja për këto krime nuk ka vend në përpjekjet e vendit për drejtësi.
“Drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime do të ballafaqohen me drejtësi. Lirinë e kemi fituar por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë derisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra të jetë përfundimtar”, është shprehur Osmani.
“Ju keni bërë thirrje që të jemi zëri i juaj, kurse sot ju them se zëri juaj do të jem sot e çdo ditë”, shtoi ajo.
Presidentja e vendit, teksa ka theksuar se gjatë muajit prill kishin ndodhur më së shumti dhunimet, ajo u ka bërë thirrje të gjithë viktimavee një krimi të tillë që të aplikojnë për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunë seksuale.
“Shënimi i 14 prillit, muajit edhe kur ka pasur më së shumti dhunime gjatë luftës në Kosovë do të ishte vulosje e përhershme e një kapitulli të dhimbshëm e tragjik i historisë sonë dhe do të ishte bashkim i zërave tonë për të treguar se si gra e burra të Kosovës përkundër vuajteve të mëdha e shndërruan vuajtjen e tyre në forcë për të ngritur zërin për drejtësi”.
“U bëj thirrje grave e burrave të këtij vendi të cilët kanë qenë viktima të një krimi të tillë që të aplikojnë para komisionit qeveritar për njohjen e statusit të mbijetuarve të dhunë seksuale gjatë luftës sepse procesi është i sigurt, sepse institucionet e Kosovës janë këtu për t’iu mbështetur”, ka thënë Osmani.
Ajo ka potencuar se do të ishte thirrja më e fuqishme për të dënuar dhunën seksuale si armë të luftës në Kosovë e kudo në botë.
“Do të ishte solidarizim, bashkënjdjenjë dhe rreshtimi më i sinqertë përkrah atyre tek të cilët kujtimet e luftës rikthehen në çdo frymarje si dhe atyre që nuk janë më me ne”.
Në anën tjetër, ajo ka përmendur edhe popullin ukrainas të cilët po përballen me luftën e agresionit rus, duke thënë se shumë gra në Kosovë e kuptojnë më së miri dhimbjen, trishtimin e zhgënjimin që po e përjetojnë gratë e vajzat e Ukrainës.
“Sot 23 vjet pas luftës në Kosovë kur ne shpresonim se Evropa e bota nuk do të zgjohej më me imazhe e dhimbje në sy të vajzave e grave, dhimbja e trishtimi zuri vend sërish në kontinentin tonë. Por, historia ka dëshmuar se e mira dhe e drejta triumfojnë gjithnjë”.
Lidhur me ekspozitën e hapur, presidentja Osmani ka thënë se këto imazhe do të flasin më shumë se sa çdo fjalë sepse sipas saj, përmes tyre gra e burra kanë treguar se si do të donin ata e ato ta shohin botën.
Kjo ekspozitë, ka për qëllim të ilustrojë shpresat dhe nevojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Kurti takon anëtarët e Komisionit për njohjen e statusit të viktimave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e të mbijetuarve të dhunës seksuale ka pritur në takim Komisionin qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka vlerësuar procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, për rëndësinë që ka për të ardhmen e të mbijetuarve dhe për të gjithë shoqërinë, teksa ka konfirmuar vullnetin e qeverisë për vazhdimin e mandatit të këtij komisioni.
“U theksua se sfidë e procesit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, mbetet stigma për dhunën seksuale, që pengon të mbijetuarat/it në realizimin e kësaj të drejte të garantuar me ligj”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Ndërkaq, më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në vitin 2021, kjo datë ishte propozuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, datë kjo e cila përkon me ditën e rrëmbimit të Vasfije Krasniqit – deputete nga Lëvizja Vetëvendosje.
Krasniqi është e mbijetuara e dhunës seksuale e cila e para publikisht ka folur për përjetimet dhe dhunën e shkaktuar.
Ishte pikërisht data 14 prill, kur ajo ishte rrëmbyer nga forcat serbe, dhe ishte dhunuar në mënyrë barbare.
Ndërkaq, 40 burra si dhe 986 gra të tjera nga Kosova kanë dokumentuar dhunën seksuale, që kanë përjetuar para më shumë se dy dekadash.
Mbi një mijë persona, për tri vjet kanë arritur të fitojnë statusin e viktimës së dhunës seksuale dhe për të përfituar pagesën mujore prej 230 eurosh.
Megjithatë në mesin e tyre, ka gra e burra që kanë refuzuar të marrin pensionin, por që këta të mbijetuar kanë kërkuar vetëm të dokumentojnë tmerrin që kanë përjetuar.