Një djalë dëshmori i cili nuk u prezantua me emër e mbiemër, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për shkak të deklaratave të tij për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq, i cili u vra para pesë vjetësh.
Djali i dëshmorit, i cili është edhe njëri nga organizatorët e protestës që po mbahet para Qeverisë së Kosovës, e ka quajtur të turpshme deklaratën e Kurtit.
Kurti nuk e kishte përmendur faktin që Oliver Ivanoviq, ishte dënuar nga gjykata për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Kurti kishte pasur vetëm lëvdata për ish-politikanin serb.
Organizatori i protestës, tha se Kurti ka tentuar ta amnistojë Oliver Ivanoviqin për krimet që ai i ka bërë.
“Rasti i fundit është elozheja që i thuri Ivanoviqit, ideatorit të krimeve ndaj popullsisë shqiptare, i cili u shpall fajtor para ligjit. Ky veprim i Kurtit ishte tronditje e radhës dhe fyerje e rëndë për të gjithë ne. Fjalët e Albin Kurtit për të ishin shigjetat që ranë mu në mes të plagëve që ky popull i ka të hapura. Amnistimi që i bëri Ivanoviqit, ishte amnisti për mizoritë që aparati serb i ndihmuar nga ivanoviqë të tjerë i bëri ndaj nesh”, ka thënë ai.
Fjalimi i Kurtit, sipas tij, ishte “rasti më i shëmtuar si një kryeministër shkel përmbi historinë e popullit të vet”.
Në protestë u panë edhe deputetë të PDK-së dhe aktivistë të PSD-së.